Kalo te lënda

Kur e vërteta dhemb gjithmonë

Bajram Mjeku

Rreth reagimit të Sejdi Sadikut, drejtor i shkollës fillore “Migjeni” në Siboc, të titulluar: “Një temë si një barsoletë”

Drejtorit të shkollës fillore “Migjeni” në Siboc dhe i paraleleve të ndara në Shtëpitullë dhe Graboc i Epërm të Obiliqit, z. Sejdi Sadiku, i janë dashur plot 13 ditë që të përgatitet për reagimin ndaj shkrimit tim me titull: “Rreth Abetares së përbashkuar”, i botuar më 23 maj të këtij viti!

Unë, autori i shkrimit “Rreth Abetares së përbashkuar”, nuk e kam zbuluar ujin e nxehtë, por e kam thënë dhe po e përsëris se shkrimin e kam shkruar i motivuar nga një televizion yni, ashtu siç edhe kam theksuar se “para pak ditësh në lajmet qendrore të një televizioni nacional, pashë një raport investigues që ky televizion e kishte realizuar pikërisht në Shkollën Fillore, ku në vitin 1971 kisha filluar t’i mësoja shkronjat e para…”!

E kam thënë dhe po e përsëris se pas përcjelljes së raportit të televizionit nacional “jam ndier shumë keq…”, dhe për këtë kam dhënë jo pak arsye (derisa televizionet jo rrallë kanë më shumë fuqi investiguese se sa mediumet tjera). Si nuk jam ndier keq, derisa në këtë shkollë punojnë madje edhe tre vëllezër, ndërsa për lidhje të tjera gjaku – si kushëriri i parë apo kushëriri i dytë – as që flitet?! Si të mos ndjehem keq kur familjarët e mi kanë cilësi jashtëzakonisht të dobëta të mësimnxënies në këtë shkollë?

Po e përsëris, jam ndier shumë keq edhe për faktin se në kuadër të kësaj shkolle kanë punuar mësimdhënësit e nderuar si Fetah Bylykbashi, Emine Rakovica, Emine Berisha, Isa Feriz Mjeku, Kadri Ujkani dhe shumë mësimdhënës të tjerë eminentë, përfshirë këtu në veçanti edhe mësimdhënësin dhe veprimtarin Musa Hoti, i cili më vonë do të kërkonte azil politik në Belgjikë. Nga ambientet e shkollës fillore në Shtëpitullë kanë dalë shumë nxënës që pastaj i kanë vazhduar studimet në Zagreb, Sarajevë dhe shumë kryeqytete të tjera të ish-republikave të ish-Jugosllavisë. Dhe, po e përsëris se nxënësit e kësaj shkolle më vonë i kanë shërbyer Kosovës me profesionalizëm dhe dinjitet.

Z. Sadiku dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle ua kujtoj (ndonëse ata e dinë shumë mirë), se pas largimit të mësimdhënësve të nderuar që i përmenda më lart, shkolla fillore “Migjeni” në Shtëpitullë nuk ishte e përgatitur që t’i ofrojë studentë të përgatitur as Universitetit të Prishtinës, dhe e them me kompetencë se pas fundit të viteve ’70-ta nga ky fshat shumë pak studentë kanë patur mundësi që t’i vazhdojnë studimet në UP, ndërsa të mos flasim që pati ndonjë tendencë për t’u shkolluar në universitetet tjera jashtë Kosovës.

Në pyetjen e gazetarit të televizionit tonë se në shkollën fillore “Migjeni” në Shtëpitullë janë të punësuar mësimdhënës kryesisht të dy familjeve, përgjigjet e vet mësimdhënësve të kësaj shkolle, pastaj të vet z. Sadiku, por edhe të Drejtorit të Drejtoratit për Arsim në Komunën e Obiliqit, jo vetëm që nuk ishin bindëse, por ishin edhe sfilitëse dhe po aq të sikletshme!

Ashtu si drejtorit të kësaj shkolle z. Sejdi Sadiku, edhe mësimdhënësve të kësaj shkolle u them se kurrën e kurrës nuk do të kisha pranuar që të kapja ditarin për të dhënë mësim derisa në të njëjtën shkollë do të kisha punuar së bashku me vëllezërit dhe shumë kushërinj të mi. E them me përgjegjësi se jo vetëm që është nepotizëm në njërën anë, por edhe joinstitucionale e joligjore në anën tjetër, që të punosh me vëllezër në të njëjtën shkollë në shekullin në të cilin jetojmë.

Drejtori i shkollës fillore “Migjeni” në Siboc në reagimin e tij thotë: “Unë kam qenë drejtor në këtë shkollë që nga 1 shtatori 1974…”. Përgjigja është e thjeshtë; këtu mbase edhe kanë ngelur reformat në atë shkollë, pra disa dekada më parë.

Në vazhdim, drejtori i shkollës fillore “Migjeni” në Siboc dhe i paraleleve të ndara në Shtëpitullë dhe Graboc i Epërm, thotë: “Ky shkrim me këto gënjeshtra, vërtet më provokoi edhe mua – drejtorin e Shkollës Fillore ‘Migjeni’ në Siboc, në kuadër të së cilës shkollë është edhe paralelja e ndarë fizike në Shipitullë dhe ajo në Graboc të Epërm se duke e parë storjen e xhiruar ‘të gjithë dukeshin të veshur si mos më keq’ (fjala është për mësimdhënësit e Shipitullës v.i.), se shkolla nuk është riparuar në dekadat e fundit dhe dera e hyrjes në shkollë ia ka kujtuar ‘storjet tmerruese të shpellave të Tora-Borës’”.

Konsideroj se pas publikimit të shkrimit tim, në mënyrë që “gënjeshtrat” e mia të konstatohen, do të duhej që z. Sadiku t’i ftonte inspektorët e Ministrisë për Arsim që t’i inspektonin hapësirat e kësaj shkolle në mënyrë që t’i “demantonte” edhe storjet e televizionit nacional, edhe të thënat e mia dhe jo të harxhonte kohën për të polemizuar kot.

Të inspektohen ambientet e kësaj shkolle se në ç’kushte mbajnë mësim nxënësit e këtushëm, pastaj të vërtetohet se çfarë niveli të nyjave sanitare i disponon kjo shkollë, pse jo edhe të verifikohet niveli i përgatitjes shkollore të vet mësimdhënësve, dhe krejt në fund edhe nepotizmin e trashur deri në zullum.

Ish-drejtorit të shkollës ku unë e kam kryer shkollën fillore (që edhe tash pas katër dekadave është ende drejtor), ia kujtoj se në ambientet e kësaj shkolle në kohën kur unë isha nxënës kurrë nuk ka patur as hapësira tualeti, as ujë për pije.

Lidhur me këtë nuk dëshiroj të jem shpjegues, sepse po t’i shpjegoja këto gjëra, atëherë rrëfimi për këtë shkollë do të merrte përmasa bizare në njërën anë dhe dëshiroj që ta ruaj nivelin intim të të gjithë nxënësve të kësaj shkolle në anën tjetër përfshirë edhe mua… Aktualisht, për ambientet e kësaj shkolle ku nxënësit e vijojnë mësimin, nuk kam çka të flas. Bashkëfshatarët e mi tash ankesat i kanë edhe më të theksuara se katër dekada më parë. Me vet faktin që dhjetëra familje i kanë braktisur fshatrat Graboc i Epërm dhe Shtëpitullë vetëm për të patur nivel më të avancuar arsimimi për fëmijët e tyre, çdo fjalë do të ishte e tepërt.

Duke mos dashur që të vazhdoj më shumë, z. Sadiku ia rikujtoj se ai nuk mund ta dojë më shumë vendlindjen time se sa e dua unë, aq më pak kushërinjtë e mi që punojnë në këto dy shkolla. Dhe së dyti, njëmend unë nuk jetoj në Graboc, por familjen time e vizitoj çdo fundjavë.

Sa i përket barsoletave, po ia rikujtoj se barsoletat për shkollën që e udhëheq ai nuk kanë të ndalur, si sot, si njëzet, si dyzetë vjet më parë. Po të kishte cilësi arsimi në vendlindjen time, e siguroj z. Sadiku se do të kisha jetuar edhe unë me familjen time të ngushtë, pasi kryeqyteti i Kosovës është vetëm 24 kilometra larg vendlindjes sime, asnjë kilometër më shumë!

(Autori është profesor dhe ka mbaruar Fakultetin Filologjik në UP dhe është bashkëthemelues i Qendrës për Informim të Kosovës)

———————————————————————————-

Sjellim gjithashtu reagimin e Sejdi Sadiku ne /InfoSot/

Shpifjet e Bajram Mjekut

 

(INFOSOT) – “Rreth Abetares të përbashkuar”, autor Bajram Mjeku, botuar më 22.05.2012 në Gazetën “Tema”, “Gazeta Shqiptare”etj.- është opinion i një demagogu, që lexuesve të Kosovës, Shqipërisë dhe viseve tjera shqiptare u servon dushk për gogla , se kinse ai e paska gjetur pengesën kryesore për moszbatimin e reformave në arsimin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Shkruan: Sejdi Sadiku

Ai thotë se bazuar në “një raport investigues” të një televizioni nacional, realizuar në një shkollë fillore (fjala është për shkollën fillore”Migjeni” në Shipitullë-Obiliq), në të cilën shkollë B. Mjeku,   më 1 shtator 1971 i paska mësuar shkronjat e para tek mësuesi Fetah Bylykbashi, i cili atëherë paska pasur nivel shkollimi  më shumë se sa mësimdhënësit e kësaj shkolle  katër dekada më vonë, se duke e parë storjen e xhiruar “të gjithë  dukeshin të veshur si mos më keq” (fjala është për mësimdhënësit e Shipitullës v.i.), se shkolla nuk është riparuar në dekadat e fundit dhe dera e hyrjes në shkollë ia ka kujtuar    “storjet tmerruese të shpellave të Tora-Borës”(të Afganistanit v. i.), se gati të gjithë mësimdhënësit vijnë nga e njëjta familje (është fjala për mësimdhënësit me mbiemrat Mjekiqi-Mjeku v.i.), se edhe emri i fshatit Shipitullë  shqiptohet keq dhe “provokon me humor” dhe ka nxjerrë shumë shembuj, gjykime e përfundime të një diletanti se “këto janë shenjat e para se arsimi në Kosovë ende nuk është reformuar dhe është edhe më keq se sa dekada më pare”…etj.etj.

Ky shkrim me këto gënjeshtra, vërtet më provokoi edhe mua-drejtorin e Shkollës Fillore “Migjeni” në Siboc, në kuadër të së cilës shkollë është edhe paralelja e ndarë fizike në Shipitullë dhe ajo në Graboc të Epërm.

Unë kam qenë drejtor në këtë shkollë që nga 1 shtatori 1974.

Dikush me siguri do të interesohet pse kaq gjatë unë prapë jam drejtor në të njëjtën shkollë. Po i njoftoj lexuesit e nderuar se unë jam burgosur më 18.06.1982, kur në zyrën time m’i kanë lidhur duart inspektorët e sigurimit shtetëror (UDB-ja) në prezencën e mësimdhënësve dhe nxënësve në Siboc. Aktakuza ka qenë -Vepër Penale kundër RSFJ-së, kundër Vëllazërim-Bashkimit të asaj kohe. Pas daljes nga burgu nuk kam pasur të drejtë të punoj më në arsim. Arsimit iu ktheva kur u pavarësua arsimi shqiptar në Kosovë, kurse drejtor jam zgjedhur në vitin 2007. Duke u bazuar në të dhënat faktike, deklaroj : 1. Fetah Bylykbashi nuk ka qenë në Shipitullë në marëdhënie pune më 1.09.1971, kurse  Bajram Mjeku thotë se shkronjat e para i ka mësuar te ky mësues në këtë datë. 2. Në shkollën e Shipitullës që është 9 klasëshe dhe të Grabocit të Epërm që është 5 klasëshe punojnë gjithsej 17 mësimdhënës dhe 2 pastrues, prej tyre 9 mësimdhënës janë me mbiemra Mjekiqi-Mjeku dhe 8 mësimdhënës janë të tjerë, kurse të 2 pastruesit janë me mbiemra Mjekiqi-Mjeku. Shkalla e kualifikimit shkollor për Mjekiq-Mjeku është:  4 profesorë, 2 arsimtarë me SHLP dhe 3 mësues me normale 5 vjeçare. Të gjithë janë të kualifikuar për punët dhe detyrat e punës që i kryejnë, kurse disa prej tyre edhe kanë qenë mësimdhënës dhe kujdestarë klase të Bajram Mjekut.

Nga 8 mësimdhënësit tjerë, që nuk e kanë mbiemrin Mjekiqi-Mjeku, ata kanë këtë kualifikim : 1 Master, 4 profesorë dhe një me akademi pedagogjike. Kjo është struktura e të punësuarve në këto dy shkolla.

Bajram Mjeku shkruan se 4 dekada më vonë  mësimdhënësit e kësaj shkolle kanë nivel më të ulët të përgatitjes shkollore se sa mësuesi i tij para 4 dekadave. Projekti yt “investigues”është gënjeshtër e kulluar edhe për mësimdhënësit në tërësi –edhe për Mjekiqët-Mjeku. Duhet të turpërohesh para këtyre fakteve. E pavërteta tjetër është se shkolla me dekada nuk qenka riparuar, kurse shkolla e Shipitullës është riparuar komplet nga KFOR-i Finlandez dhe me datën 03.09.2007 në ora 14:00 është mbajtur një manifestim me rastin e hyrjes në objektin shkollor të riparuar.

Është pra, shumë e çuditshme se si t’u ka dukur dera e hyrjes së shkollës- sikur shpellat e Tora- Borës, ku kanë ndenjur Talibanët në Afganistan, kurse mësimdhënësit që ti ke thënë se shumica janë të një familjeje, disa prej tyre kujdestarë klase dhe mësimdhënës tuaj të shkollës fillore, paskan qenë “të veshur si mos më keq”. Ti, duke e shikuar storjen televizive për shkollën e Shipitullës dhe për kusherinjtë tuaj mësimdhënës, të paska dalë para syve sindromi i fatamorganës- duke e parë Tora-Borën e Afganistanit në Shipitullë. I paske parë kusherinjtë tuaj mësimdhënës “të veshur si mos më keq dhe nepotizmin e pajustifikuar, sepse kjo shkollë qenka larg Prishtinës 24 kilometra”.

Këta kusherinjtë tuaj mësimdhënës, të veshur si mos më keq- si  thua ti, nuk e kanë lëshuar kurrë Shipitullën as Grabocin e Epërm (në të dy fshatrat të gjithë banorët janë me mbiemra Mjekiqi-Mjeku), këta mësimdhënësit tuaj, që i ke pasur edhe kujdestarë të klasës, punojnë me dekada në shkollën e Shipitullës, që kanë punuar edhe pa të ardhura personale, që kanë qenë të rrezikuar para luftës e gjatë luftës, që nuk i kanë pranuar planprogramet e Serbisë, që nuk kanë ikur nga Kosova: këta kanë lëshuar libreza e dëftesa nxënësish me vulë të Republikës së Kosovës, këta ti i ke parë të veshur si mos më keq. Këta mësimdhënës duhet t`i shohim ndryshe, duhet t`i shohim ashtu si kanë punuar e si janë sakrifikuar, ashtu siç janë: pishtarë të dritës e diturisë, me shkallë të shkollimit profesional adekuat për vendet e tyre të punës, ashtu siç parashihet me Ligjin për Arsimin Parauniversitar të Republikës së Kosovës. Bëhet pyetja: pse i fyen këta mësimdhënës dhe pse shpif ?!

Çfarë nepotizmi ka në shkollën e Shipitullës dhe Grabocit të Epërm, kur aty punojnë 9 mësimdhënës me mbiemra Mjekiqi nga 2 fshatra. kurse 8 mësimdhënës  të tjerë që nuk kanë mbiemrat Mjeku-Mjekiqi, vijnë nga Siboci, Hadja, Pomozotini dhe Prishtina.Ti,vërtet, shpif pa fije turpi duke thënë se “gati të gjithë mësimdhënësit e kësaj shkolle vijnë nga e njëjta familje, që realisht përbën nepotizëm, derisa shumica prej tyre e kanë vetëm shkollimin e mesëm”.

Në këtë fjali ti për lexuesit i ke lansuar 3 gënjeshtra :

1. Konteksti  “shumica vijnë nga e njëjta familje”…lexuesin e painformuar e fokuson qëllimshëm sikur të gjithë këta mësimdhënës (Mjeku-Mjekiqi) qenkan të së njëjtës familje, me fjalë të tjera të një shtëpie?! Këta mësimdhënës Mjekiqi-Mjeku janë të 2 fshatrave, këta mësimdhënës nuk janë të të njëjtës familje. Nuk di si e trajton dhe sa e kupton  Bajram Mjeku kuptimin e familjes dhe kuptimin e fshatit. Ai me siguri e di ç`është familja dhe ç`është fshati-katundi. Ai vetë e di të vërtetën, sepse aty e ka edhe një pjesë të familjes së tij, por në mënyrë perfide e mashtron lexuesin se ka nepotizëm (familjarizëm), se mësimdhënësit “janë  nga e njëjta familje”.

2.Në bazë të fjalisë së parë gënjeshtër, ai e përmend si pasojë nepotizmin – rrjedhim i gënjeshtrës së tij. 3.Gënjeshtra e tretë që ka të bëjë me shkallën e ulët të shkollimit të mësimdhënësve – unë deklaroj se të gjithë mësimdhënësit e kanë shkallën e shkollimit profesional adekuat për vendet e tyre të punës.

Ke shpifur edhe rreth shqiptimit të emrit të fshatit Shipitullë, se kinse “shqiptohet keq”. Gjithmonë emri i këtij fshati është shqiptuar dhe shkruar  Shipitullë dhe shqiptimi i tij nuk ka të bëjë fare me fshatrat tjerë si Muqibaba ose Llukari.Artikulli i Bajram Mjekut ka plot shpifje,gënjeshtra, fyerje dhe etiketime. Shkrimi i tij me një titull të aktualitetit të sotëm “Rreth Abetares të përbashkuar” inskenon dhe sajon ngjarje e tabllo të rrejshme, duke u zhagitur e duke u zhyer tërësisht, siç zhyhen gjithmonë gënjeshtarët dhe demagogët.

Unë, drejtori i shkollës që jam edhe pedagog i diplomuar, të porosis që të mos shkruash fare  për temat që nuk i njeh, që nuk e di çka do të thotë Mësimdhënie e Mësimnxënie bashkëkohore dhe çka janë e çka nënkuptojnë  reformat në arsim.

Mos krijo dëshmi e argumente përmes gënjeshtrave dhe pastaj ato gënjeshtra dhe shpifje  mos i përdor si argumente për të gjykuar se ja ku qenka arsimi ynë, ja çfarë duhet bërë, se kinse nuk kemi as në Kosovë e as në Shqipëri reforma në arsim.

Mos përdor shembuj që fare nuk kanë të bëjnë me reformat arsimore.

Ti e përmend edhe guximin e të madhit Ataturk, kur alfabetin arab e ka zëvendësuar me atë latin dhe kërkon guximtarë  si Ataturku për reformat në arsimin e Kosovës dhe të Shqipërisë?! Unë nuk kam koment për një guximtar si Ataturku që u dashka ta kemi për reformat në arsim?!

Edhe shembulli i fundit në shkrimin tuaj rreth punësimit të mësimdhënësve, që e ke quajtur barsoletë, me të cilin përmbyllet shkrimi juaj, sikur e tipizon krejt temën bosht  si një barsoletë.(Autori është drejtor i Shk.Fillore “Migjeni” në Siboc)

—————————————————————————————————-

Gjithashtu sjelim shkrimin e Bajram Mjekut ne Gazeten TemA/22.Maj.2012

——————————————————————————————————-

Rreth abetares së përbashkuar!

  Nga Bajram Mjeku

Para pak ditësh në lajmet qendrore të një televizioni nacional, pashë një raport investigues që ky televizion e kishte realizuar pikërisht në Shkollën Fillore kur në vitin 1971 kisha filluar t’i mësoja shkronjat e para. Shkolla është në fshatin Shtëpitullë të Obiliqit, derisa emri i këtij fshati shumëkend e provokon me humor, pasi shqiptohet keq, Shipitullë! Raporti i gazetarit ishte intrigues. Gati të gjithë mësimdhënësit e kësaj shkolle vijnë nga e njëjta familje që realisht përbën nepotizëm, derisa shumica prej tyre e kanë të mbaruar vetëm shkollimin e mesëm. E pranoj. Pas emisionit të lajmeve jam ndier shumë keq. Jo rastësisht më është kujtuar 1 shatori i vitit 1971, dita e parë e shkollës kur mësuesi im i parë Fetah Bylykbashi në të njëtën ditë duke na përkëdhelur na fuste në ambientet e kësaj shkolle. Nuk e harroj kurrë kostumin e tij gri, kollaren e bukur dhe aromën e parfumit, që ne atëbotë e quanim “livando!”. Në të njëjtën shkollë, katër dekada më vonë, mësimdhënësit e së njëjtës shkollë për dallim nga mësuesi im i parë kanë nivel më të ulët të përgatitjes shkollore. Në storjen e xhiruar të gjithë dukeshin të parruar, pastaj të veshur si mos më keq dhe derisa po dilnin nga dera kryesore e shkollës së pariparuar asnjëherë gjatë dekadave të fundit, t’i kujtonin storjet tmerruese të shpellave të Tora-Borës. Dekada më parë, nga e njëjta shkollë, por me të tjerë mësimdhënës kanë dalë kuadro profilesh të larta që i kanë shërbyer vendit me dinjitet. Shqetësimi nuk përfundonte këtu. Drejtori i kësaj shkolle pa fije turpi e arsyetoi nepotizmin e pajustifikuar, pasi kjo shkollë është vetëm 24 km. larg Prishtinës, ndërkohë që drejtori i Drejtoratit për Arsim në Komunën e Obiliqit për aq sa reflektonte injorancë, po aq rrezatonte cinizëm. * * * Këto janë shenjat e para se arsimi në Kosovë ende nuk është reformuar dhe është edhe më keq se sa dekada më parë. Ashtu si në Shkollën Fillore për të cilën folëm më lartë, niveli arsimor rrezikon të jetë i tillë edhe në dhejtëra shkolla të tjera, derisa rreth 60 për qind e popullatës në Kosovë jeton në ambiente rurale. Mund të mburremi se pas luftës kemi ngritur shumë godina të reja shkollore, por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, derisa ana tjetër është joreformimi dhe joavancimi i kuadrit arsimor. Aktualisht kemi mijëra të rinj që kanë përfunduar shkollimin superior dhe janë në pritje që të ofrojnë dijen e tyre prej mësimdhënësi, por kjo assesi të ndodh për faktin e pajustifikuar se nuk kemi çfarë të bëjmë me mësimdhënësit e paarsimuar, pra me mësimdhënësit që kanë vetëm përgatitje të mesme shkollore. Vërtetë reformat janë të dhimbshme, por e vërteta edhe më e madhe është se shumë mësimdhënës edhe nuk kishin vullnet të reformohen në trembëdhjetë vitet e fundit, prandaj zëvendësimi i tyre me kuadro profesionale duhet të ndodh, pasi dihet që arsimi është segmenti kryesor në shoqëritë e secilit shtet që synon prosperitet dhe zhvillim. Kostoja e mosreformimit të mësimdhënësve, shtetit tonë të ri i kushton edhe më shumë se sa mendojmë ne. Dyndja e familjeve nga fshatrat që të akomodohen në qytete të ndryshme të Kosovës është shqetësuese dhe kjo po ndodh kryesisht për dy çështje; për nivel më të avancuar të arsimit për fëmijët e tyre dhe për punësim. Sikur të përllogaritej kjo, atëherë shtetit tonë shumë më pak do t’i kushtonte reformimi i mësimdhënësve, se sa ikja e familjeve nga fshatrat, pikërisht për shkak të arsimit më të avancuar në qytete dhe pikërisht për këtë janë duke na u krijuar mijëra raste të reja sociale. * * * Reformat nuk kërkojnë vetëm dije, por edhe guxim për të vepruar. Mustafa Kemal Ataturku në çerekun e dytë të shekullit të kaluar, mori guxim që alfabetin arab ta zëvendësonte me atë latin dhe këto reforma për aq sa ishin të rëndësishme për Turqinë, po aq ishin të guximshme për Ataturkun. Vetëm dy ditë pas storjes për Shkollën Fillore që folëm më lartë, ndodhi manifestimi i Abetares së unifikuar në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve në Prizren. Abetarja e unifikuar është sukses, por nuk mund të mburremi edhe me reformat në arsim as këndej, as andej kufirit. Televizionet shqiptare jo rrallë na ofrojnë storje të trishtueshme me pamje të objekteve shkollore në Shqipëri. Shumë objekte shkollore më shumë u gjasojnë gërmadhave në kohën e Mbretit Zog, për dallim që entuziazmi për t’u shkolluar edhe atëbotë te shqiptarët ishte i madh. Derisa në Shqipëri me nivelin arsimor mund të krenohen më shumë, ne në Kosovë mund të krenohemi më shumë me godinat e reja shkollore, por që këto dy hallka assesi të unifikohen ashtu si Abetarja si andej, si këndej kufirit. * * * Për shkollën që folëm në fillim, në vitin 1991 pikërisht në këtë fshat qe krijuar një barsoletë. Kur regjimi i Millosheviçit i mbylli shkollat shqipe dhe ndërpreu financimin, atëbotë u shpreh nevoja e vetëfinancimit. Derisa aktivistët po kërkonin mjete për mbarëvajtjen e procesit mësimor, një fshatar i këtushëm pati thënë: “Mbasi jemi të shtrënguar që të financojmë shkollën me paratë tona, atëherë është mirë që vet ta bëjmë edhe përzgjedhjen e mësimdhënësve!”.