Kalo te lënda

Këshilli heton Mujën

Këshilli Drejtues i UP’së do ta hetojë çmimin që Mujë Rugova mori në Amerikë dhe parat që harxhoi atje. Për këtë, është formuar një komision hetimor gjatë një mbledhje të tensionuar të Këshillit. Krejt këto, e kanë mërzitur Rektorit. Ai tha se nuk e bleu çmimin, përderisa akuzoi mediat se po e persekutojnë më shumë sesa regjimi serb.

Mujë Rugovës, rektor i Universiteit të Prishtinës (UP) dhe disa prej kolegëve të tij, u duhet të japin goxha sqarime.

Këtë ata duhet ta bëjnë jo para prokurorisë, por kolegëve të tyre.

Rugova të hënën nuk u shkarkua nga Këshilli Drejtues, por diskutimet aty ishin të ashpra.

Në vend të inicimit për shkarkim, sic kishin paralajmëruar një ditë më parë për express disa zyrtarë të tij, ky këshill mori vendim tjetër, jo pak të rëndësishëm.

Institucioni i përëbërë prej nëntë anëtarëve, ka vendosur që të formojnë një komision hetimor lidhur me procedurën dhe vërtetësinë e mirënjohjes së marrë nga Samitin e Cilësisë.

Përvec kësaj, ky komision do të hetojë edhe dyshimet për keqpërdorime të mundshme gjatë vizitës në SHBA.

Milazim Krasniqi, një nga anëtarët e këtij komisioni, ka thënë për KosovaPress se në lidhje me këtë cështje, ky komision ka për detyrë që brenda një jave t’i paraqes raport Këshillit Drejtues.

Ai e ka pranuar se ka pasur debat me tone kritike brenda këshillit, sa i përket raportimeve të ditëve të fundit lidhur me keqpërdorimet e mundshme në UP.

Krasiqi e ka konfirmuar se kjo cështje do të hetohet.

Gjithashtu, Krasniqi ka deklaruar se faza e zgjedhjeve dhe fundi i mandatit të këtij menaxhmenti është kah fundi, atëherë Këshilli Drejtues ka marrë vendim t’i ndalojë të gjitha konkurset për pranim të punëtorëve të rinj, udhëtimet jashtë shtetit, dhe investimet në UP.

Por një orë para se të mbledhet Këshilli Drejtues, Mujë Rugova është dukur shumë nervoz të hënën, por është munduar të përmbahet.

Së paku deri në minutën e fundit kur para se të largohet nga konferenca e ftuar për media, përplasi pak mbi tavolinë gotën e ujit.

Arsyeja për këtë u duk se ishte shprehja e një gazetari, i cili në vend të fjalës “gjë” shqiptonte “send”.

Takimin me media, Rugova e ftoi një orë para se të mbahej mbledhja e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.

Rugova tregoi versionin e tij për të gjitha raportimet e fundit mediale, sipas të cilave, institucioni që ai drejton e ka blerë çmimin për cilësi të dhënë në Neë York.

Në konferencën për gazetarë të mbajtur në orën 14 të së hënës, rektori Rugova ka akuzuar disa nga mediat për raportime, që ai i ka cilësuar destruktive, sa i përket “Çmimit të Artë për Cilësi”.

Ai dhe dy zyrtarë të Rektoratit kanë mohuar në tërësi atë që është shkruar se çmimi është blerë me 3 mijë e 900 euro nga Business Initiative Direction (BID), një kompani me seli në Madrid të Spanjës.

Në këtë paraqitje të tij, pas kthimit nga SHBA’ja, rektori Rugova sërish nuk ka harruar të mbajë edhe pak fjalim patriotik.

Ai në mes të tjerash ka përmendur edhe momentin kur delegacioni i Serbisë ka dalë jashtë ceremonisë, pasi e ka dëgjuar emrin e Kosovës.

“Në atë samit, nëntë herë është përmendur emri ‘Republikë e Kosovës’. Kur na e kanë ndarë mirënjohjen, Serbia ka dalë jashtë. Mendoni se kjo nuk ka vlerë? Nëse mendoni se përnjëmend kjo nuk ka vlerë, atëherë ju nuk jeni të informuar fare”, tha Rugova.

Rektori i UP’së tha se është mjaft i zhgënjyer, saqë këto që po shkruhen vazhdimisht për të, i ka konsideruar edhe më të rënda sesa në kohën kur ishte i përndjekur nga regjimi serb.

“Kam pasur probleme me Serbinë, por këso përpjekjesh dhe përgojimesh që po bëhen ndaj meje, asnjëherë nuk kam pasur. E për këtë jam mjaft i zhgënjyer”, tha Rugova.

Ai paralajmëroi të gjithë ata që kanë shkruar, e të cilat rektori i quan shpifje, do të përballen me ligjin.

Në këtë rast, Rugova i ka bërë thirrje prokurorisë që edhe të vizitojë Rektoratin dhe të bëjë hetime, në mënyrë që të gjitha ato që janë shkruar të vërtetohen.

E shqetësuar është paraqitur edhe kompania që i ka dhënë çmimin për cilësi UP’së.

Kështu së paku thanë vetë drejtuesit e UP’së.

Ata shpërndanë edhe dy letra, sipas të cilave, Business Initiative Direction (BID), e cila i ka dhënë UP’së Çmimin e Artë për Cilësi, i ka dërguar në adresë të Rektoratit.

Sipas shkresave me nga disa fjali secila, të nënshkruara e të vulosura, BID’i jep sqarime për punën e vet dhe prezanton shpenzimet që ata i kanë hequr për delegacionin nga UP’ja, e që përbëhej nga rektori Rugova dhe zëvendësrektori për marrëdhënie me jashtë, Naser Mrasori.

Përveçqë prezantojnë punën e tyre, kompania në fjalë paralajmëron se do t’i padisë ata që kanë shpifur ndaj tyre, e që siç janë shprehur ata, “ia kanë prishur imazhin”.

E reagime të ashpra ndaj disa medieve ka shprehur edhe zëvendësrektori Naser Mrasori. Ai po ashtu ka sqaruar edhe procedurën e marrjes së çmimit në New York.

Sipas tij, Samiti për Cilësi të Lartë është asociacion prestigjioz që ka nderuar shumë kompani dhe personalitete të larta botërore.

Mrasori sqaroi se kompania që ka dhënë çmimin ka hulumtuar për një periudhë të gjatë punën e UP’së.

Madje, ai tha se çmimi për UP nuk është përzgjedhur nga vetë ata, por nga 178 vende që kanë qenë në garë.

“Organizata që na e ka dhënë mirënjohjen, nuk është organizatë fantome, por një organizatë që bën punë qe 27 vjet”, tha Mrasori.

Ai u shpreh se UP’ja është dekoruar në bazë të punimeve shkencore që janë bërë, mobiliteteve të studentëve dhe bursave të shumta ndërkombëtare.

Në këtë garë, sipas tij, kanë marrë mirënjohje edhe kompani të ndryshme si ajo për njeriun që ka ndërtuar ndërtesën më të lartë në botë në Dubai.

Mrasori nuk pranoi se në garë kanë marrë pjesë vetëm kolegje private, por edhe ato publike.

Ndër to, ai ka përmendur Universitetin publik të Polonisë, Indisë, por edhe kolegje të Britanisë të Madhe.

 

Shpenzimet e udhëtimit

 

Në këtë konferencë, ka asistuar edhe zëvendësrektori për financa, Enver Kutllovci ku nëpërmjet letrave, ka sqaruar të gjitha shpenzimet e bëra në udhëtimin në Neë York.

Ai fillimisht sqaroi se UP’ja është e anëtarësuar në disa asociacione, ku duhet paguar për anëtarësim, e në mesin e tyre, edhe Samiti për Cilësi të Lartë.

UP paguan 2 mijë e 500 euro në vit për anëtarësim në Asociacionin e Universiteteve Evropiane, 900 euro në Kartën e Dubrovnikut, në Compastella Grup, 1 mijë e 500 euro në vit, ndërsa në Samitin për Cilësi, UP’ja paguan 3 mijë e 900 euro në vit, ku përfshihen edhe shpenzimet e delegacionit për ushqim dhe akomodim

Kutllovci ka arsyetuar edhe marrjen e avancit prej 7 mijë eurove për udhëtimin në SHBA. “Është e vërtetë kjo që janë marrë avans, sepse pa para, as prej shtëpie s’mund të dalësh, por gjithçka është e arsyetuar me fatura”, tha Kutllovci.

Ai sqaroi se gjatë këtij udhëtimi, Rugova dhe Mrasori kanë harxhuar 985.66 euro dhe në arkën e Rektoratit janë kthyer 6 mijë e 14 euro.

Në bazë të udhëzimit administrativ, Kutllovci sqaron se shpenzimet ditore në SHBA janë 275 euro, por nëse delegacioni ka qenë i ftuar dhe i ka pasur të hequra mëditjet dhe ushqimin, i takon 20 përqind i shpenzimeve ditore që i bie 55 euro dita.

“Sipas kësaj llogaritjeje, rektori dhe zëvendësi i tij kanë qëndruar shtatë ditë në SHBA, ku i bie se u takojnë nga 375 euro për secilin”, tha Kutllovci.

Duke u nisur nga kjo, Kutllovci, sikurse edhe kolegët e tij, ftoi Prokurorinë që të fillojë hetimet në UP, por edhe për ato që janë shkruar nëpër media.

Kthehen para kohe

Shkrimet në media dhe protestat e lëvizjes “SVK” ua kanë prishur agjendën Rugovës dhe Mrasorit. Rrugës së kthimit ata kishin planifikuar që të ndaleshin edhe në Britani të Madhe. Mirëpo, kjo u dështoi pasi që u desh që të ktheheshin në Kosovë para kohe. Rugova dhe Mrasori kishin paraparë që të takoheshin me historianin Noel Malcolm në Londër, por ata u desh të ktheheshin prapa. “Situata e krijuar në UP bëri që të anulohet takimi me Malcolmin”, tha Mrasori./Nga Nexhmije Ahmeti /Express/