Isufi: Nuk do të jemi pjesë e ndonjë ekipi për veriun
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk pranon të jetë pjesë e ndonjë ekipi për të biseduar për çështjen e veriut të vendit, ka thënë nënkryetari I kësaj partie, Ahmet Isufi.
“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe askush nuk ka të drejtë dhe nuk guxon të bisedojë me askënd për veriun, përveçse me qytetarët e kësaj pjese”, deklaroi Isufi gjatë një conference për media.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka marrë asnjë ftesë për të qenë pjesë e ndonjë ekipi që do të bisedonte për veriun e Kosovës, por edhe sikur të kishte ftesë, përgjigjja do të ishte negative. Kështu deklaroi nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, sipas të cilit AAK-ja nuk pranon të jetë pjesë e çfarëdo ekipi qeveritar për të biseduar për veriun.
Isufi theksoi se Kosova ka nevojë për një Qeveri tjetër që siguron jetë më të mirë për të gjithë qytetarët dhe garanton liri të lëvizjes në gjithë territorin e vendit. Këto komente, nënkryetari i AAK-së i bëri në konferencën për media, në të cilën u bë publik kalimi i një pjese të kryesisë së degës së AKR-së në Kaçanik.
Kryetari i deritashëm i degës së AKR-së, Naser Troni tha se në AAK ka kaluar pasi që këtë parti e vlerëson serioze dhe të organizuar mirë, ndërsa dha arsyet pse është larguar nga AKR-ja.