Kalo te lënda

EULEX: Do të burgosen ata që pengojnë lirinë e lëvizjes në Veri

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, i cilëson të papranueshme kushtëzimet që strukturat paralele serbe ia kanë bërë këtij misioni në lidhje me ndalimin e lëvizjes së lirë në veri të Mitrovicës.

“Bllokimi i rrugëve, sulmi ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe nxitja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë për dhunë, janë vepra të paligjshme dhe si të tilla, mund të shpijnë deri tek arrestimi apo ndjekja penale e personave të përfshirë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.

“EULEX-i dëshiron ta bëjë të qartë se sundimi i ligjit duhet të mbizotërojë dhe se kërcënimet dhe dhuna janë vepra të kriminelëve. E kriminelët do të hetohen dhe aty ku ka prova të mjaftueshme, do të sillen para drejtësisë”, ka shtuar ai.

Me këtë rast, misioni i EULEX-it i ka rikujtuar të gjithë se “duhet të ketë liri të lëvizjes të pakushtëzuar në gjithë territorin e Kosovës e veçanërisht në veri”.

Reagimi i EULEX-it ka pasuar një vendim të të ashtuquajturit Shtabi i Emergjencës në veri të Mitrovicës, i udhëhequr nga strukturat paralele serbe sipas të cilit, EULEX-it i ndalohet të lëvizë lirshëm në veri të Mitrovicës.

“Çdo përpjekje të dhunshme për të kaluar përmes qytetit ose për të hequr barrikadat, do ta konsiderojmë si agresion të hapur, ndërsa përgjegjësinë për pasojat e mundshme do ta bartin ata që fillojnë veprime të tilla”, thuhet në vendimet e shtabit.

Ky organ kishte vendosur që ta kthejë si të detyrueshme kujdestarinë në barrikada për të gjithë qytetarët, për shkak të siç thuhet, kërcënimit të sigurisë dhe pronës.

Në vendimet e këtij organi paralel thuhet se ndalohet bartja dhe përdorimi i armëve të zjarrit, ndërsa në rast të rrezikut, lëshimi i sirenave nënkupton se të gjitha dyqanet duhet të mbyllen menjëherë.

Kurse, për qytetarët që pranojnë të punojnë në zyrën administrative të Qeverisë së Kosovës në veri, thuhet se “do të sanksionohen” sipas ligjeve të Serbisë.

Të premten, dy ushtarë të KFOR-it dhe të paktën tre serbë lokalë janë plagosur gjatë aksionit të Forcës Paqeruajtëse për heqjen e barrikadave në Rudarë afër Zveçanit.

Lidhur me situatën aktuale në veri, për Radion Evropa e Lirë është prononcuar edhe zëdhënësi i KFOR-it, Dan Harvi.

“Aktualisht, situata është e qetë. KFOR-i inkurajon të gjithë njerëzit e përgjegjshëm që të mos bëjnë deklarata nxitëse dhe që me mendjet e tyre të veprojnë në mënyrë paqësore”, ka thënë zëdhënësi Dan Harvi. /rel/

 

EULEX-it, i zgjatet mandati edhe për dy vjet

 

Këshilli i Bashkimi Evropian ka marrë vendim sot që t’i vazhdojë mandatin EULEX-it edhe për dy vjet të tjera – deri më 14 qershor 2014 por edhe ta zvogëlojë numrin e pjesëtarëve të misionit për 25%, është thënë në Bruksel.

Sipas komunikatës së lëshuar, misioni i BE-së, në vitin e parë, do të ketë në dispozicion buxhetin prej 111 milion eurosh.

“Përshëndes këtë vendim. Misioni i BE-së zbaton punë të mirë dhe të rëndësishme duke i ofruar mbështetje sundimit të ligjit në Kosovë”, ka thënë përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton.

Ajo ka inkurajuar autoritetet e Kosovës që ta shfrytëzojnë profesionalizmin e EULEX-it duke thënë se në të ardhmen pushtetarët lokal do të duhet të marrin shumë më shumë përgjegjësi.

Praktikisht mandati i misionit do të jetë i njëjtë, por ai do t’i nënshtrohet një ri konfigurimi marrë parasysh përparimet në tri vitet e fundit dhe zhvillimit të gjithmbarshëm të marrëdhënieve në mes të BE-së dhe Kosovës. Qëllimi është që misioni të jetë më i fortë, më i vogël dhe efikas përderisa ri konfigurim do të nënkuptojë zvogëlim të personelit për 25%.

Nga 15 qershori i këtij vitit numri maksimal i personelit të këtij misioni do të jetë 1250 ndërkombëtar dhe 1000 staf lokal. Deri tani ishte me 1950 ndërkombëtar dhe 1200 lokal.