Abramowitz: Për Kosovën, Nikolici i njëjtë si Tadici
Zyrtarët amerikanë shpresonin se Serbia do ta ketë një president i cili më në fund do ta shënojë një përparim në raport me Kosovën. Ata madje pyesin nëse një lider i tillë mund të gjendet në Beograd. Tomislav Nikolic sigurisht nuk e përfaqëson vullnetin e Perëndimit, thotë analisti amerikan, Morton Abramowitz.nuk e përfaqëson vullnetin e Perëndimit, thotë analisti amerikan, Morton Abramowitz.
Pas udhëheqjes së keqe ekonomike, mbështetje e fortë e BE-së dhe SHBA-ve nuk do të mundte ta shpëtonte ish presidentin serb Boris Tadic. Por, tani i kemi fituar rezultatet të cilat Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, as nuk i ka dashur a as nuk i ka parashikuar, thuhet në artikullin të cilin Abramowitz e ka botuar në revistën “National Interest”.
Ashton ka bërë çdo gjë në fuqinë e saj që Tadic të rizgjidhet sërish, e madje e ka bindur edhe Qeverinë e Kosovës që ta pranojë marrëveshjen jopopullore me Serbinë për menaxhimin e integruar të kufijve. Por, votuesit e pakënaqur serbë kishin ide tjera dhe zgjedhën liderin e përparimtarëve.
Ai shkruan se Perëndimi është sjellë ndaj Nikolicit si ndaj humbësit, për shkak të lidhjeve të tij me Vojislav Seseljin i cili në Hagë gjykohet për krime lufte, si dhe për faktin se mbështet sovranitetin serb mbi Kosovën.
Në tekst vlerësohet se BE-ja ndoshta duhet të bashkëpunojë me Nikolicin, dhe Tadicin, pikëpamjet e të cilëve në raport me Kosovën nuk ndryshojnë shumë, si dhe për faktin se karriera politike e Tadicit nuk ka mbaruar me dështimin në zgjedhjet e fundit.
Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare ofrojnë mundësi që qeveria e re të jetë e koalicionit, me apo pa partinë e Nikolicit, në të cilën partia e Tadicit do të ketë rol kyç, e ndoshta Tadici do të bëhet kryeministri i cili do të ketë pushtet më të madh se Nikolici nëse përparimtarët e tij nuk futen në kabinetin e koalicionit.
Detyra më e vështirë e qeverisë së re, megjithatë, nuk do të jetë hyrja në BE, por ndalimi i shkatërrimit ekonomik. Abramowitz thotë se kjo ishte arsyeja kryesore për të cilën Nikolici për viitzën e tij të parë zyrtare e zgjodhi Moskën – në mënyrë që të ketë ndihmë financiare nga Putini. Sidoqoftë, ai ka paralajmëruar vizitën e tij edhe në Bruksel.
Ftesa për Nikolicin për ta vizituar Washington gjithashtu mund të ndihmojë që të zbuten gjërat, thotë analisti amerikan, dhe shton se qeveria e re megjithatë duhet të adresojë problemin e Kosovës dhe të ardhmen e serbëve në veri të Kosovës.
BE-ja ka një problem strukturor, pasi pesë shtetet anëtare nuk e njohin Kosovën, por kjo gjë mund të ndryshojë. Liderët serbë, megjithatë, besojnë se BE-ja do të bëjë ta njëjtën gjë si me ishullin e ndarë të Qipros dhe do të lejojë që Serbia të anëtarësohet në BE me çështjes e pazgjidhur së Kosovës.
BE, nga ana e saj, shpreson se ndihma e madhe financiare dhe premtimi për anëtarësim në BE në fund do të çojë në një ndryshim të klimës politike në Serbi dhe se do të lejojë udhëheqësit e saj të gjejnë një mënyrë për të pranuar pavarësinë e Kosovës, thotë Abramowitz.
Ai po ashtu shpreh dyshimin nëse ndonjë lider politik në Serbi do ta pranojë këtë realitet, pa një lloj të ndarjes së Kosovës, ndërsa shton se Nikolici, si paraardhësi i tij, deklaron se kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
Megjithatë, ndarja e Kosovës është e papranueshme për Perëndimin, që do të thotë se në negociatat e mëtejshme tema kryesore do të jetë nëse plani për autonominë e veriut të Kosovës do të jetë i pranueshëm për të dyja palët, përfundon artikullin e tij Abramowitz.