Kalo te lënda

Krasniqi këshillon Qeverinë të mos imitojë politikën serbe

Prishtinë, 4 qershor – Qeveria e Kosovës është në përpjekje të një zgjidhjeje pozitive të çështjes së veriut dhe ka marrë iniciativë për formimin e një zyre ekzekutive në përpjekje që hap pas hapi të realizohet zbatimi i dokumentit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisarit. Kështu, sipas RTK-së, deklaroi kryeparlamentari Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e vlerësoi sot pozitivisht largimin e barrikadave nga ana e paqeruajtësve të KFOR-it nëpër rrugët në veri të vendit . Ai tha se të gjithë qytetarëve të vendit duhet t’u garantohet liria e lëvizjes. Sipas Krasniqit, Qeveria e Kosovës ka marrë një iniciativë pozitive për formimin e një zyreje ekzekutive në përpjekje që hap pas hapi të realizohet zbatimi i dokumentit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisarit.
“Qeveria, realisht ka marrë një iniciativë për formimin e një zgjidhjeje pozitive dhe është në përpjekje që hap pas hapi të zbatohet dokumenti gjithëpërfshirës i dokumentit të Ahtisarit. Kosova duhet të bisedojë me të gjithë qytetarët dhe të përpiqet të përmirësojë cilësinë e jetës së tyre në cilëndo pjesë të Kosovës”, është shprehur Krasniqi.
I pyetur se a është kundër përfshirjes së Beogradit në dialogun e Qeverisë së Kosovës me serbët e veriut, Krasniqi tha se nuk ka ndonjë informacion të tillë, përveç asaj që është shkruar në media. Ai sugjeroi edhe politikën kosovare që të ketë kujdes me politikën serbe, sepse ajo serbe gjithnjë ka prodhuar dhunë:
“Ne e dimë që politika serbe është përpjekur me dekada në mënyrë selektive të krijojë shqiptarë të ‘ndershëm’ dhe ‘të pandershëm’, dhe ne i dimë rezultatet e asaj politike. Politika shqiptare në asnjë formë nuk duhet të jetë në gjurmët e politikës së serbëve, e cila ka prodhuar vetëm dhunë”.
Gjithashtu, Krasniqi, ka thënë se komunitetit ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë Brukseli, duhet të ketë një komunikim më të ashpër në mënyrë që të detyrojë Beogradin t’i shpërbëjë strukturat e saj paralele në veri të Kosovës.
Kryesi vendosi që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet të enjten, më 7 qershor.