Kalo te lënda

Arrestohet shqiptarja që zhvaste pleqtë e vetmuar

Ajo shtirej si e dashuruar për t’i marrë para. Por, 44 vjeçarja shqiptare nuk rezistoi gjatë: ajo u denoncua në policinë italiane për përvetësim parash.

Duket si një histori klasike kjo e ndodhur në Cuneo, e cila bëri të mundur bllokimin e shqiptares e cila zhvaste një 69 vjeçar italian.

Burri në pension, i vetmuar, në fillim ndiente dhembshur për shqiptaren prej jetës së saj të vështirë, ndaj kishte nisur t’i jepte para në këmbim të shoqërisë së saj.

Por, në vijim, dhembshuria dhe shoqëria u kthye në një lidhje të mirëfilltë ku 44 vjeçarja me iniciale R.L. nis bashkëjetesën me italianin, vetëm me një synim.

Ashtu si edhe më herët, gruaja vijonte t’i merrte para duke i thënë se kishte një vajzë të sëmurë rëndë në Shqipëri për të cilën duhej të kujdesej.

Por, me kalimin e kohës, siç informon noa.al, gruaja filloi t’i kërkonte më shumë para, me arsye nga më të ndryshmet, si: ndihma për familjarët në Shqipëri, borxhet që kishte në vendlindjen e saj, madje kishte sajuar edhe një shtatzëni me të moshuarin ku i kishte marrë një shumë për të lindur në Shqipëri.

Gruaja i kishte thënë “donatorit” të saj se kishte lindur dy binjakë, njëri prej të cilëve kishte vdekur gjatë lindjes. Por, edhe pas “lindjes” së fëmijëve, gruaja nuk ishte kthyer më në Itali, por fliste me italianin vetëm përmes telefonit (pasi duket se prej tij kishte marrë çfarë donte).

Sipas policisë, thuhet se nga verifikimet rezultoi se pensionisti i kishte dhënë gruas të ardhurat që kishte mbledhur gjatë jetës, një shumë prej rreth 200 mijë eurosh të cilat do ta lejonin shumë mirë 44 vjeçaren të niste një jetë të re në Shqipëri.

Nga verifikimet rezultoi se gruaja mashtruese ishte e martuar me një tjetër italian me të cilin po divorcohej dhe se gjithçka e kishte bërë për të përvetësuar sa më shumë para, gjë të cilën ndoshta e kishte bërë edhe në martesën e parë.