Të dyshimtët për vjedhjen e arit në Pejë në arrest shtëpiak
Pejë, 3 qershor – Janë liruar nga paraburgimi 4 të arrestuarit, zyrtarë të lartë policorë, të cilët dyshohet se janë të implikuar në skandalin e vjedhjes së 25 kilogramëve ari në dhomën e dëshmive të Policisë në Pejë. 4 zyrtarëve policorë u është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, i deklaruar KTV-së, avokati i njërit nga të dyshimtët,
Flamur Kelmendi. Hetimet e para tregojnë se vjedhja e 25 kilogramëve ari është bërë në mënyrë shumë profesionale dhe atë nuk ka mundur ta bëjë dikush jashtë policisë. Ata që e kanë vjedhur arin nga dhoma e dëshmive duket se këtë kanë nisur ta bëjnë prej kohësh. Sipas hetimeve, 25 kilogramë nuk janë larguar nga aty kohët e fundit, por dyshohet se nga dhoma janë nxjerrë copa ari për një kohë më të gjatë.
Por nuk është vetëm ari që dyshohet se është vjedhur, hetimet pritet të tregojnë se aty mungojnë edhe gjëra të tjera. Burime të KTV-së, të afërta me hetimet, bëjnë të ditur se në atë dhomë gjendeshin edhe rreth 100 mijë euro para, por ato nuk janë prekur. Kjo nuk është hera e parë që në dhomat e dëshmive të Policisë së Kosovës vidhen gjëra./koha/