Presidenti, Berisha dhe Rama takohen të dielën
Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, pritet të takohen mesditën e së dielës me qëllim arritjen e një presidenti konsensual. Burime nga të dy partitë PD dhe PS bëjnë të ditur për “GSH”, se takimi mes Berishës dhe Ramës pritet të zhvillohet në kryesinë e Kuvendit, ndërkohë që ende nuk është fiksuar ora e takimit.
Kjo për shkak të agjendës së ngjeshur të takimeve të Berishës, i cili nga Vlora, sot do të jetë në Sarandë për inaugurimin e disa investimeve në infrastrukturë.
Ulja në tryezën e bisedimeve është vënë si kusht nga kreu i PS-së Edi Rama, në të kundërt ka paralajmëruar se nuk do të japë konsensusin për zgjedhjen e presidentit të ri.
Bashkë me këtë kusht, Rama renditi edhe tre të tjera që kanë të bëjnë me reformat, ndërkohë që vazhdoi të këmbëngulë në takimin në nivel kryetarësh.
Nga ana e tij kryeministri Sali Berisha e quajti jo produktiv një takim të tillë, ndërsa mandatoi kreun e grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi dhe anëtarin e kryesisë Edmond Spaho për negociatat me përfaqësuesit e PD-së.
Në mbledhjen e fundit të kryesisë së PD-së, lideri Berisha duke i bëri thirrje opozitës për pranimin e ofertës së saj, tha gjithashtu se mbetet i hapur të takohet me Ramën, por kjo tha ai nuk zgjidh asgjë.
”Ja u ula unë me të. Çfarë? Do më mbush mendjen ai mua se e njeh më mirë se Damiani doktrinën elektorale? Ulemi bashkë, por punën kush do ta bëjë, se kjo nuk e zgjidh problemin. Po për të pirë kafe me mua, të pijë kur të dojë. Ne jemi për të zgjidhur, jo për të bllokuar dhe për të bërë show”, u shpreh lideri i demokratëve.
Por ai që apeloi më tepër për një takim të mundshëm mes dy drejtuesve të pozitës dhe opozitës, ishte kreu i LSI-së Ilir Meta. Kreu i LSI-së e quan të domosdoshëm një takim mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës Edi Rama.
Sipas tij presidenti i ri i Republikës mund të zgjidhet në raundin e dytë, vetëm nëse takohen dy liderët kryesorë të politikës për të negociuar.
“Kam kërkuar të zhvillohen takime të niveleve të larta dhe kam apeluar për takim Rama-Berisha në mënyrë që paragjykimet që burojnë nga distanca të shkrihen e të ecët në rrugë të mirë një zgjedhje dinjitoze e Presidentit të ri dhe mbyllje e reformave. Një takim midis Kryeministrit Berisha dhe kryetarit të PS zotit Rama do të ndihmonte përshpejtimin e këtij procesi”, theksoi Meta.
Gjithsesi të dielën pritet takimi mes Berishës dhe Ramës. Ende nuk janë zbardhur modalitetet e takimit në fjale, i cili konsiderohet shumë i rëndësishëm në momentin që palët ndajnë ende qëndrime të ndryshme për mënyrën sesi duhet të dale emri i kandidatit për kryetar shteti.
Por mbetet për tu parë nëse ky takim do të mund të prodhojë një marrëveshje për një president konsensual.
Nga ana tjetër Xhezair Zaganjori, kandidati i pa zyrtarizuar i dalë nga tryeza e mazhorancës, ishte dje në selinë e Partisë Socialiste, në një iniciativë që sipas tij e ka ndërmarrë vetë për të njohur krerët e partive parlamentare me platformën e tij për drejtimin e shtetit.