Në Maqedoni mbi 200 azilkërkues afrikano – aziatik
Në Maqedoni gjatë këtij viti janë regjistruar mbi 200 kërkesa për azil nga shtetas të huaj, numri më i madh i tyre nga Afganistan.
Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Spiro Ristovski theksoi se gjatë muajve të fundit janë shtuar kërkesat për azil nga emigrantë nga vendet afrikane dhe aziatike, kryesisht nga zonat e luftërave dhe konflikteve. Sipas tij, Maqedonia nuk është destinacioni final i tyre, mirëpo ata shfrytëzojnë vendin si zonë kalimtare për të shkuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Nga 200 kërkesat për azil, 92 janë nga emigrantë nga Afganistani, pastaj vijojnë emigrantë nga Somalia, Palestina, Eritrea, Pakistani, Bangladeshi, Siria, Kosova, Armenia, Sudani, Egjipti, Nigeria, Tunisia dhe Maroko, etj. Sipas ligjit për azil, autoritetet në Shkup janë të obliguara brenda 60 ditëve të rregullojnë statusin e azilit për shtetasit e huaj që bëjnë aplikimin.