Nano kërcënon Ramën me ndarjen e PS-së
Fatos Nano i bëri thirrje kreut të PS, Edi Rama që ta kandidojë në Parlament për Kreun e Shtetit ose në të kundërt brenda selisë rozë do të ketë një tjetër lëvizje politike, rreth të cilës i janë bashkuar paraditen e së shtunës shumë emra të njohur të së majtës shqiptare. Ky apel bëhet një ditë para takimit që pritet të kryhet mes Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Kandidati i vetëofruar për president, Fatos Nano ka nisur gjatë ditës së sotme takime intensive në zyrën e tij me ish-deputetë, ish-drejtues qëndrore dhe lokale të PS, me drejtues e aktiviste të shoqërise civile si dhe me të rinj e të reja. Koordinatori për Shoqërine Civile në Lëvizjen e Re të Fatos Nanos bëri të ditur se takimet janë fokusuar në shpjegimin dhe shkëmbimin e ideve dhe vizionit të Fatos Nanos në ambicien e tij për t’u vetëofruar për të shërbyer si President Republikës.
Nga i njëjti burim, mësohet se, Fatos Nano ka shpjeguar se vetëofrimi i tij më së shumti ka synuar të piketohet me PS dhe kandidimi i tij të niset dhe të mbështetet nga PS kjo me arsyen sepse Fatos Nano ka qenë për 15 vjet Kryetar i kësaj partie.
Në këto takime është folur edhe për ngurimin e gjatë të pakuptueshëm dhe të paarsyeshem të Kryetarit të PS, Edi Rama, për ta mbështetur politikisht dhe me firma kandidimin e Fatos Nanos për President.
Ndër të tjera është diskutuar edhe për mundësine e moskandidimit të Fatos Nanos për shkak te mosmbështetjes nga Edi Rama.
Në rast se PS nuk e mbështet, atëhere ekziston mundësia për krijimin e një partie të re politike që do të mbështetet nga ata që duan ti dalin zot fateve të kombit. (BW/INA)