Kalo te lënda

Maqedoni, pritet formimi i bllokut të ri politik shqiptar

Në Maqedoni paralajmërohet formimi i një aleance të re politike shqiptare, që do të jetë një bllok i tretë i përbërë nga partitë më të vogla politike.

Nisma vjen si pjesë e Apelit të Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane dhe shoqatave të tjera shqiptare në diasporë, por edhe nga vullneti i shprehur i disa forcave politike.

Kryetari i RDK-së, Rufi Osmani i pari ka folur mbi promovimin e kësaj nisme, e cila sipas tij është në fazën e nisjes së bisedimeve. “Ne do të kemi një bllok të tretë të partive më të vogla shqiptare që dikush mund ti emërton si të donë, po që do jenë një  grupim serioz politik dhe i cili besoj në zgjedhjet e radhës do të tregoj një fuqi shumë më të madhe vizavi zgjedhjeve të kaluara”, deklaroi kryetari i RDK-së, Rufi Osmani, duke paralajmëruar së shpejti edhe rezultate konkrete.

Lidhur me këtë nismë janë deklaruar ekskluzivisht për agjencinë e lajmeve INA edhe liderët e dy partive, Kastriot Haxhirexha i Demokracisë së Re (DR) dhe Bardhyl Mahmuti i Bashkimit Demokratik Shqiptar (BDSH).

Kreu i DR-së, Kastriot Haxhirexha theksoi se DR që  në Kongresin e saj më 11 Mars e ka theksuar si më se të nevojshme dhe prioritare koalicionimin mes partive politike shqiptare duke mos përjashtuar edhe mundësinë që kjo të bëhet brenda një blloku të tretë politik.

“Thirrja dhe kërkesa e diasporës shqiptare në Amerikë dhe një përkushtim i sërishëm i ish-kongresistit shqiptaro-amerikan Joseph DioGuardi na ka nxitur që të mendojmë me seriozisht por fundja dhe të  veprojmë për krijimin e një aleance  të re shqiptare, si një opsion politik për ti dhënë kahje të re proceseve politike të shqiptarëve si dhe procesit të integrimit euroatlantik të vendit”, ka theksuar kryetari i DR, Kastriot Haxhirexha, duke konfirmuar se ka marrë kërkesën e ish-kongresistit DioGuardi dhe të shoqatave shqiptaro-amerikane dhe se pret veprime konkrete dhe intensive midis faktorit politik shqiptarë që është në këtë linjë”, theksoi për INA, Kastriot Haxhirexha.

Sipas tij, DR është për një opsion politik që niset mbi nevojën urgjente dhe thirrjen për unitet nga lobisti shqiptaro-amerikan Joe Dio Guardi dhe kjo nismë duhet të përkrahet dhe të jetë e mbështetur fuqimisht nga subjektet që do të jenë pjesë e një aleanceje të këtillë kombëtare.

Kryetari i BDSH-së, Bardhyl Mahmuti nënvizon se tejkalimi i situatës tragjike në të cilën gjenden shqiptarët në Maqedoni kërkon si parakusht bashkimin përreth një platforme unike që do të synojë realizimin e të drejtave legjitime të popullit shqiptar.

“Në këtë frymë u bë Apeli publik i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në krye me Ish-kongresistit amerikan, z. Joseph DioGuardi  dhe në këtë frymë janë duke u zhvilluar bisedat në mes RDK-së, DR-së dhe BDSH-së. Qarqet e caktuara që përpiqen të minojnë këtë iniciativë kanë shpërndarë dezinformata sikur gjoja ky Bllok politik është duke u krijuar kundër kësaj apo asaj partie politike shqiptare”, theksoi Bardhyl Mahmuti.

Ai thotë se anëtarëve dhe simpatizantëve të partive politike që refuzuan këtë iniciativë u bëhet e qartë se ky bllok shqiptar nuk formohet as kundër BDI-së e as kundër PDSH-së.

“Për ne është plotësisht e qartë se vetëm disa individëve të këtyre partive, të cilët për interesa personale apo tejet të ngushta klanore, kanë qenë, me rrotacion, në ‘pozitat’ ushtarake, policore, politike, ekonomike… të Maqedonisë, përderisa populli shqiptarë, pra edhe shumica dërrmuese e anëtarëve dhe simpatizantëve të këtyre partive, ishin realisht në opozitë’!”, theksoi kryetari i BDSH-së.

Sipas tij, formimi i Bllokut të tretë politik është shpresë se tërësia e energjive intelektuale dhe patriotike do të kanalizohet në nxjerrjen e popullit shqiptar nga kjo gjendje e rëndë dhe realizimin e aspiratave për liri dhe demokraci!

“Prandaj realizimi i këtij qëllimi ka nevojë për mbështetjen e secilit shqiptar, pa marrë parasysh përkatësinë e mëparshme partiake! Është momenti i fundit që interesi i mirëfilltë kombëtar të vihet para “etiketave” partiake!”, theksoi kryetari i BDSH-së, Bardhyl Mahmuti.

Siç mëson agjencia e lajmeve INA këtij opsioni të tretë politik pritet ti bashkëngjiten edhe forca të tjera politike si BDK, shoqata joqeveritare, si dhe personalitete politike dhe intelektuale në Maqedoni. Në kuadër të nismës është paralajmëruar edhe formimi i grupimit të intelektualëve që do ti bashkëngjitet kësaj nisme të re politike. (INA)