Dyshime për një varrezë masive në Mitrovicë
Eshtra njerëzish janë gjetur të shtunën, gjatë punimeve në ndërtimin e një objekti, para hyrjes së spitalit të ri në Mitrovicë. Dyshohet për një varrezë masive në këtë lokacion.
Bajram Çerkini, kryetar i OJQ-së “Zëri i prindërve”, u shpreh të jetë i bindur se bëhet fjalë për një varr të freskët, meqë aty vërehet qartë gëlqerja, pastaj shtrati, batanijet etj.
“Kjo është një gropë në të cilën ndodhen eshtra të më shumë se një trupi, andaj s’ka dyshim se bëhet fjalë për varrezë masive”, ka thënë ai për Kosovapress.
Sipas tij, në bazë të fqinjëve që jetojnë këtu afër, në këtë vend prej viteve të 90-ta ka pasur gjithmonë pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë serbe. Andaj dyshohet për një ekzekutim të njerëzve të pafajshëm gjatë luftës së fundit.
Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, thotë se fjala është për eshtra njerëzish të cilët nuk dihet kujt i përkasin dhe se cilës kohë u takojnë.
“Policia e Kosovës ka dalë në vendngjarje, duke siguruar lokacionin. Ndërkohë, priten ekspertët e mjekësisë ligjore nga Prishtina”, theksoi Hoti.
Ndryshe, vendi ku janë gjetur eshtrat ndodhet krejt afër objektit i cili më herët ka qenë kazermë e ish-armatës jugosllave. /Telegrafi/