Prapaskenat: Negociatat, tentohet takimi Berisha-Rama
Përfaqësues nga PD e PS, në bisedime për takimin mes krerëve të partive. Meta: Duhen bisedime në nivele të larta politike.
Zaganjori, ende kandidati i vetëm në lojë për ditën e hënë.
Negociatorë pranë Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama, po tentojnë një takim mes tyre përpara raundit të dytë të votimit të Presidentit në Parlament. Burime zyrtare bëjnë të ditur se ka gjasa që dy kundërshtarët politikë të ulen me njëri-tjetrin para se deputetët të shkojnë të hënën në Parlament për një raund tjetër, i cili, nëse nuk ka konsensus, do të digjet. Megjithatë, pavarësisht kontakteve të shpeshta, ende nuk ka asgjë të sigurt nëse ky takim do të zhvillohet. Për momentin palët janë ende në pritje, ku nga njëra anë maxhoranca vazhdon të mbështesë kandidatin e propozuar pak ditë më parë, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, ndërsa opozita ende nuk ka dalë me një kandidat të sajin, por më shumë rëndësi i ka kushtuar procesit. Opozita Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar publikisht nevojën e mbledhjes së një tryeze me të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare për të negociuar për kreun e ri të shtetit. Lidhur me tri kushtet e vendosura përpara se të zhvillohej takimi mes kryetarëve të grupeve parlamentare, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi, Rama është shprehur se ato mund të trajtohen në kohë të arsyeshme, dhe jo menjëherë. “Unë nuk këmbëngul fare të takoj kaq shumë personalisht Kryeministrin. Është shumë e thjeshtë. Dialogu kërkon ndërveprim dhe kërkon komunikim mes palëve. Në rast se Kryeministri takon të gjithë kryetarët e partive, madje takon edhe kryetarin e partisë aleate me ne në opozitë, për çfarë i takon?! I takon për të pirë kafe? Në qoftë se ata i takon për të pirë kafe dhe për këtë arsye nuk më takon mua, s’ka asnjë problem. Në tryezë të gjitha palët duhet të ulen dhe secila palë duhet të shprehë pikëpamjen e vet. Ne nuk themi që ja ku i keni katër pikat, o merrini të tëra menjëherë kështu siç themi ne, madje ne nuk themi as që merrini të tëra menjëherë”, ka deklaruar Rama. Maxhoranca Nga ana tjetër, Kryeministri Sali Berisha e ka refuzuar publikisht një takim me kreun e PS-së, Edi Rama, me pretendimin se nuk ka çfarë të diskutojë me të lidhur me kushtet e vendosura për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe heqjen e imunitetit. Sipas Kryeministrit, janë të mjaftueshme kontaktet në nivel dytësor lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit. “Për të pirë kafe, kur të duash, por ka të tjerë që bëjnë punën, nuk mund t’i mohojmë ne ato, nuk mund t’i injorojmë ne ato. Ka një dallim të madh, ia thonë pollet, frymëzon apo nuk frymëzon, këtu është gjithë problemi, por nuk është kjo rruga e kompensimit. Unë që sot takohem me të dhe e pres me përparësi, por problemi është se duhet të zgjidhen problemet, dhe jo të bëjmë shou televiziv, nuk është kjo rruga e shout televiziv”, është shprehur kreu i Ekzekutivit.
Meta: Duhet takim mes Berishës e Ramës
Kreu i LSI-së i bën thirrje Kryeministrit dhe liderit të PS të takohen
Kreret e maxhorances gjate negociatave
“Keqardhje kur dëgjojmë paragjykime për Zaganjorin”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, apeloi sërish dje për një takim mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama. Duke folur në një aktivitet të Lëvizjes së Gruas për Integrim, ish zv.kryeministri u shpreh se takimi i krerëve të dy forcave kryesore politike do të ndihmonte në gjetjen e një Presidenti konsensual. “Kam kërkuar të zhvillohen takime të niveleve të larta dhe kam apeluar për takim Rama-Berisha në mënyrë që paragjykimet që burojnë nga distanca të shkrihen e të ecët në rrugë të mirë një zgjedhje dinjitoze e Presidentit të ri dhe mbyllje e reformave. Një takim Berisha-Rama do të ndihmonte përshpejtimin e procesit, nuk kemi pse të humbasim ditë e javë në një situatë pritje se çdo minutë është e çmuar, vendi ka nevojë për shumë reforma”, u shpreh kreu i LSI-së gjatë mbledhjes së LGI-së. Në të njëjtën kohë Meta vlerësoi kandidaturën e ardhur nga maxhoranca për postin e Presidentit, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, teksa shtoi se palët duhet të çlirohen nga paragjykimet në mënyrë që Presidenti i ri të zgjidhet në raundin e dytë. “Është për të ardhur keq kur dëgjojmë paragjykime të pamenduara mirë që në vend t’i shërbejnë procesit të ndërtimit të një konsensusi, ndihmojnë për të krijuar mure të panevojshme, është e rëndësishme të hiqet psikologjia e refuzimit apo bllokimit. Duhet të ecim drejt një figure që paraqet vlera të konsoliduara dhe i shërben funksionimit të institucionit të Presidentit dhe besoj se duke u çliruar nga para-gjykimet, i kemi mundësitë të ecim në rrugën e duhur dhe ta kurorëzojmë me sukses raundin e dytë”, u shpreh Meta.
Zaganjori “Kandidati (Xhezair Zaganjori) ka dalë si rezultat i diskutimit të katër kryetarëve të forcave politike të maxhorancës dhe mund t’ju them që dhe unë kam qenë një mbështetës i kësaj kandidature duke vënë re, do të thosha, kombinimin shumë të mirë të dy elementeve shumë të rëndësishme, që janë edhe për postin e Presidentit, atë të përfaqësimit ndërkombëtar dhe njëkohësisht edhe të kapacitetit për të përballuar sfidat e sistemit gjyqësor”, tha Meta në një intervistë në “Top Channel”.
Presidenti, raundi i dytë më 4 qershor Pranohet propozimi i PD-së për ta zhvilluar votimin të hënën PS voton kundër, kërkoi që seanca të zhvillohej të martën Raundi i dytë i votimit në Parlament për zgjedhjen e Presidentit të Republikës do të zhvillohet në datën 4 qershor. Kuvendi miratoi dje kërkesën e Partisë Demokratike që votimi të zhvillohej ditën e hënë dhe jo të martë, siç kishte kërkuar opozita në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Në mungesë të dakordësisë për ditën e zhvillimit e raundit të dytë të votimit, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, hodhi dje në votim propozimin e Partisë Demokratike, e cila u votua me 74 vota pro dhe 54 kundër. Nga radhët e shumicës ra në sy mungesa në Parlament e Kryeministrit Sali Berisha, por maxhoranca i siguroi 74 numrat edhe me votën pro të deputetit të larguar nga Partia Socialiste, Kastriot Islami. Kandidatura e vetme publike deri më tani mbetet ajo e Xhezair Zaganjorit, i cili u propozua nga PD, LSI, PDIU dhe PR. Por, në raundin e parë të votimit, opozita nuk dha konsensus për këtë kandidaturë, kështu që maxhoranca nuk e ka hedhur emrin e Zaganjorit për votim për shkak të mungesës së 84 votave. Sipas burimeve nga maxhoranca, Xhezair Zaganjori do të mbetet kandidatura kryesore që do të paraqitet për konsensus tek opozita. Kandidati Xhezair Zaganjori ka deklaruar dje gjatë një prononcimi për “Vizion Plus”, se synon të jetë kandidat dhe do të marrë pjesë në garë deri në raundin e tretë. Ditën e hënë në mëngjes, para nisjes së seancës së jashtëzakonshme për votimin e një kandidati për President, pritet dhe mbledhja e Komisionit të Ligjeve, që do të verifikojë nëse në Kuvend është regjistruar apo jo një kandidat për President që të sigurojë 20 firma të deputetëve.
ADI SHKEMBI
