Për Breivikun: Burgu me “shoqëri profesionale”
Burgu Ila i Norvegjisë do të angazhojë “miq” të trajnuar për t’u shoqëruar me Anders Breivikun, i cili konsiderohet si shumë i rrezikshëm për të qenë në shoqëri me të burgosurit tjerë ordinerë.
Drejtori i burgut, Knut Bjarkeid, ka thënë për ditoren “Verdens Gang” se “kjo mund të jetë gjithçka prej ekipit të hokejit e deri te njerëzit që do të luajnë shah me të”.
Sipas tij, është e domosdoshme “shoqëria profesionale”, sepse sistemi norvegjez i burgut nuk imponon izolimin e gjatë të Breivikut, për çka ekziston frika se ai mund ta “rrëmbejë” ndonjë të burgosur nëse i lejohet të lëvizë lirshëm mes tyre.
Ai shpjegon se janë menduar shumë iniciativa që të shmanget marrja e pengjeve, nëse Breiviku bie në kontakt me të burgosurit tjerë.
Bjarkeid ka thënë se sjellja e tij e qetë në burg dhe në gjyq nuk i ka shtyrë autoritetet ta cilësojnë si kërcënim më të vogël.
“Ai është ushtar në fazën e tretë të luftës së tij. Ai ende sillet ashtu siç e ka përshkruar veten në manifest”, thotë drejtori.
Breiviku sipas të gjitha gjasave do të dënohet me 21 vite burgim. Ai ka pranuar fajësinë për vrasjen e 77 civilëve në Oslo dhe në ishullin Utoya.
Nëse shpallet i çmendur, ai do të vendoset në një institucion psikiatrik. Meqë deri tek vendimi për këtë ka mbetur vetëm një muaj, ndërtimi i një krahu të ri të burgut është gati në periferi të Oslos.
Që nga sulmet e bëra nga Breiviku, sistemi i butë norvegjez i burgjeve është vazhdimisht nën kritika. P.sh. në burgun Bastoy të burgosurit i kanë çelësat e qelive të tyre, kanë qasje në sauna, në plazh dhe në pyje.
Megjithatë, norvegjezët mendojnë se ky sistem funksionon për shkak se vetëm 20 për qind e të burgosurve shkelin prapë ligjin, derisa në Britani këtë e bëjnë 50-60 për qind e tyre. /Telegrafi/