Kalo te lënda

Ejupi: Dino Asanaj më kërkoi 4 milionë euro për “Grandin”

Prishtinë, 1 qershor – Remzi Ejupi, i cili i ka 20 për qind të aksioneve në “Grand”, ka thënë se ka pasur kërkesa nga persona që t’i paguajë 4 milionë euro nëse dëshiron që kjo ndërmarrje të mos i kthehet AKP-së, shkruan sot Koha Ditore. Ai thotë se refuzimi i tyre që të paguajë ryshfet ka qenë arsyeja se pse AKP-ja ka marrë vendim që t’i tërheqin aksionet.
Ejupi ka thënë se pas refuzimit, ka pasur një kërkesë të dytë, që të paguajë 500 mijë euro më pak se vlera e parë prej 4 milionë eurosh. Kur është pyetur se kush i ka kërkuar këto mjete, Ejupi tërthorazi e përmendi Dino Asanajn, kryetarin e Bordit të AKP-së.
“Dino Asanajn pyeteni se kë e ka dërgu me m’i kërku dhe për kënd i ka kërku”, ka thënë Ejupi. Ejupi ka thënë se në prokurori do të tregojë se kush i ka kërkuar këto pare për të shpëtuar hotelin “Grand”. Por ai ka lënë të kuptojë se edhe zëvendëskryeministri Pacolli është në dijeni për ryshfetin e kërkuar nga persona që ai nuk ka dashur t’i përmendë me emër.
“Kur i kanë lypë zëvendëskryeministrit pare unë nuk e di çka me thanë më shumë… Nuk e di se qysh ka mundësi me i kërkuar reket një zëvendëskryeministri. Ata ose janë shumë të meçum ose janë të çmendur”, ka thënë Ejupi. Ai ka thënë se “Grandi” është marrë padrejtësisht, pasi deri më tani kanë dërguar disa herë garanci valide.
Gazeta ka tentuar të kontaktojë direkt me kryetarin e Bordit të AKP-së, Dino Asanaj, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Kurse Agjencia Kosovare e Privatizimit përmes zëdhënësit të saj, Ylli Kaloshi, ka thënë se janë prokuroria e gjykatat ato që merren me akuza të tilla.