Kalo te lënda

Dështuan gjysmë miliardë euro nga Fondet e BE

Dështuan gati gjysmë miliardë euro nga fondet IPA, ndërsa sipas QAE arsyet e kësaj janë se Qeveria nuk dëshiron të ndihmojë që këto para të përfundojnë në Maqedoni.

Maqedonia humbur të përfitojë rreth gjysmë miliardë euro nga fondet IPA të Bashkimit Evropian. Ky shqetësim është shpalosur nga Qendra për Arsimim Evropian (QAE) në Shkup, e cila ka prezantuar raportin më të ri të Programit IPA të BE-së.

“Dështuan gati gjysmë miliardë euro nga fondet IPA, ndërsa arsyet e kësaj janë se Qeveria nuk dëshiron të ndihmojë që këto para të përfundojnë në Maqedoni”, ka tërhequr vërejtjen kjo organizatë, duke drejtuar kritika edhe për partizimin e vazhdueshëm të Sekretariatit për integrime evropiane, mungesën e kapaciteteve profesionale si dhe mungesën e informimit të qytetarëve.

Rezultate zhgënjyese dhe humbëse janë paraqitur në pesë komponentet që kanë mundur të tërheqin financimet nga IPA fondet. “Sipas raportit, për ndërtimin e institucioneve janë shfrytëzuar vetëm 68 milion euro nga 243 milion të ofruara, për projektet ndërkufitare për arsim dhe shëndetësi janë shfrytëzuar vetëm 2 milion nga 32 milion euro. Për zhvillimin e resurseve njerëzore nuk janë shfrytëzuar mbi 40 milion euro, për bujqësi më shumë se 80 milion euro si dhe për zhvillim rajonal nuk janë shfrytëzuar mbi 180 milion euro”, thekson raporti i IPA, duke nxjerrë shqetësime serioze për humbjen e fondeve të Bashkimit Evropian.

Qendra për Arsimimin Evropian bën të ditur se Qeveria në vend që të shfrytëzojë fondet evropiane, ajo së fundi është thelluar nëpër borxhe nga bankat ndërkombëtare. (INA)