Sigal Prishtina triumfon në dramë
Kampioni në fuqi, Sigal Prishtina ka rikthyer epërsinë ndaj Trepçës në serinë finale. Ata bërën thuajse të pamundurën duke shënuar dy pikët e fitores në sekondën e fundit të takimit për ta përmbyllur takimin me dy pikë dallim 56:54.
Fituesi i Kupës për këtë edicion, Trepça ishte shumë afër fitores në ndeshjen e tretë finale të serisë finale. Kur kishin mbetur më pak se një minutë para mbylljes, mitrovicasit ishin në epërsi prej katër pikësh, por ata sikur u gëzuan para kohe. Granit Rugova ia doli të barazoi rezultatin 26 sekonda pa përfunduar takimi, derisa Trepça në aksionin vijues nuk ia doli të shënoi duke u munduar të mbajë topin deri në përfundim të sulm it prej 24 sekondave. Më pas prishtinasve i mjaftuan vetëm dy sekonda për të shënuar fitore, nëpërmjet Alban Veselit, me dy pikët e së cilit kampioni shënoi fitore me dy pikë dallim, 56:54.
Në fillim të takimit u duk se Sigal Prishtina nuk do ta ketë problem, të cilët e përmbyllën çerekun e parë me katër pikë dallim, 14:10. Por më pas u zhvillua lojë më e barabartë, derisa në pushim skuadrat shkuan me tri pikë dallim në favor të prishtinasve, 31:28.
Në dhjetëminutëshin e tretë, Sigal Prishtina dështoi tërësisht, ndërkaq Trepça e shfrytëzoi mirë panikun që i kishte kapluar vendasit dhe në dhjetëminutat e fundit hyri me epërsi prej një pike, 45:44. Më pas Trepça ruajti epërsinë deri në sekondat e fundit kur papritmas u zhgënjye me humbje thuajse të pabesueshme.
Ky takim ishte ndër më të varfrit sa i përket efikasitetit të shënimeve në tërë kampionatin, ndërkaq fakti që shënuesi më i mirë i Sigal Prishtnës , Granit Rugova realizoi vetëm 12 pikë tregon për dështimin e tyre në sulm. Ndërkaq tek Trepça Drilon Hajrizi ishte më disponuari me 20 pikë. Takimi i katërt do të zhvillohet në “Minatori”, në Mitrovicë në fundjavë.