Papa “tradhtohet” nga shërbëtori
Papa Benedikti XVI ndihet i tradhtuar nga shërbëtori i tij personal, i cili është arrestuar gjatë një hetimi ndaj kallëzimtarëve të Vatikanit, ditë më parë, dhe është i vendosur të largojë rrëmuesit nga Selia e Shenjtë, ka bërë të ditur zëdhënësi i Vatikanit, Federico Lombardi.
“Papa është dëshmitar i një rasti i cili e prek atë thellë. Kjo është një provë për të. Ai po vuan, por gjithashtu dëshiron të zbardhen gjërat, dhe të zbulojë të vërtetën”, ka thënë ai.
“Ai është veçanërisht i lënduar nga një person, Paolo Gabriele, me të cilin ai ishte i afërt, të cilin ai e njihte, e donte dhe e respektonte”, ka deklaruar Lombardi, duke iu referuar shërbëtorit të Benediktit, i cili është arrestuar pasi i janë gjetur letra sekrete papnore në posedim, citon Zëri tekstin e publikuar nga AFP.
Lombardi ka mohuar raportet e medieve italiane se pesë kardinalë janë marrë në pyetje si pjesë e hetimit ndaj rrjedhjes së dokumenteve sekrete te gazetat, por ai ka thënë se ende po kryhen hetime. Arrestimi i Gabrieles ka habitur shumë njerëz, pasi 46-vjeçari njihej për përkushtimin dhe besnikërinë e tij, dhe ka pasur spekulime se ai ka qenë thjesht një i manipuluar në një lojë intrigash dhe luftërash për pushtet brenda Selisë së Shenjtë.
Avokatët e tij kanë bërë të ditur se shërbëtori do të “bashkëpunojë ngushtë” me autoritetet e Vatikanit, duke ngjallur spekulime se ai mund të demaskojë edhe kallëzimtarët e tjerë.
Gabriele, i cili ka punuar në Vatikan që nga viti 2006 dhe ka qenë një prej pak personave të zgjedhur me qasje në qarqet private të papës, është arrestuar një muaj pasi Benedikti ka krijuar një komision special të kardinalëve për të hetuar rrjedhjen e dokumenteve sekrete.
Dokumentet, të nxjerra në faqet e medieve dhe të publikuara në një libër, kanë nxjerrë në sheh një numër të madh sekretesh të Vatikanit, përfshirë problemet e Kishës Katolike me taksat, skandalet seksuale me fëmijë, dhe negociatat me rebelët tradicionalistë radikalë.
Mediet italiane kanë spekuluar se nxjerrja e dokumenteve sekrete mund të jetë pjesë e një lufte për pushtet brenda Vatikanit, që ka për qëllim të zëvendësojë numrin dy të Kishës, figurën e fuqishme të sekretarit të Shtetit, Tarcisio Bertone, e ndoshta edhe vetë papën.
Por, zëvendësi i Bertones, kryepeshkopi Angelo Becciu, ka thënë se dokumentet nuk ekspozojnë përçarje brenda Kishës, por tregojnë se anëtarët e saj ndihen të lirë për të shprehur mendimet e tyre.
Dokumentet ish-sekrete “nuk zbulojnë luftëra për pushtet apo hakmarrje, por liri të mendimit, për të cilën Kisha qortohet se nuk e ka autorizuar”, ka thënë Becciu për gazetën e përditshme të Vatikanit “Osservatore Romano”, duke u bërë zyrtari i parë i lartë i Selisë së Shenjtë që ka folur publikisht për skandalin e Vatikanit.
“Ne nuk jemi mumie, dhe mendimet e ndryshme janë normale”, ka nënvizuar Becciu, i cili ka shtuar se papa Bendikti është tejet i lënduar nga afera.
“Benedikti XVI po kalon një periudhë brutale – ai ka parë publikimin e dokumenteve të vjedhura nga shtëpia e tij që nuk janë vetëm korrespondencë private, por edhe rrëfime sekrete që i ka marrë vetëm për shkak të pozitës së tij”, ka thënë ai.
“Papa është veçanërisht i lënduar nga dhuna që kanë përjetuar autorët e letrave që i janë adresuar atij”, ka shtuar Becciu. /Telegrafi/