Kalo te lënda

Gjatë verës shtohen masat e sigurisë në trafik

Masa shtesë për më shumë rregull e siguri në trafik gjatë sezonit të verës, kanë paralajmëruar zyrtarë të policisë rajonale në Prizren. Për këtë qëllim, të martën është organizuar një takim me zyrtarë kompetentë të Ministrisë për Punë të Brendshme, të Departamentit për Trafikut Rrugor dhe të Njësisë Policore Rajonale në Prizren. Përkundër rënies së numrit të aksidenteve me fatalitet, përkujdesja gjatë verës do të shtohet.

“Policia rajonale e Prizrenit, ka nën mbikëqyrje rreth 400 km rrugë ndërkomunale e rajonale dhe 38 km të autostradës nga Vërmica deri në Suharekë, ndaj jemi të organizuar që të kontribuojmë për një siguri më të madhe gjatë verës”, ka thënë kapiten Lulzim Shala, komandant i policisë rrugore, duke apeluar për përgjegjësi nga të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.

Kapiten Jeton Rexhepi nga policia rrugore ka theksuar se vetëm gjatë sezonit veror në pikat kufitare të Kosovës hyjnë mesatarisht rreth 500 mijë automjete. Përveç kësaj gjatë verës organizohen edhe gazmende të shumta familjare që e ngarkojnë trafikun. Për këtë qëllim në të gjitha rrugët e Kosovës do të shtohen pikat e kontrollit dhe ndaj atyre që i shkelin rregullat, do të ndërmerren masa“, ka thënë Rexhepi.

Kurse Behar Ramadani tha se qëllimi i këtyre masave dhe angazhimeve është siguria më e madhe për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion. “Gjendja nuk është alarmante por duhet ta sensibilizojmë opinionin në mënyrë që automjetet të mos jenë më shkaktarë të vdekjes”, ka thënë ai.

Rreth asaj se rajoni i Prizrenit veçohet për të keq sa i përket mitmarrjes, kurdisjes së raporteve për aksidentet dhe sjelljeve të policisë së trafikut, zyrtarët policorë thonë se për këso vlerësimesh nuk kanë njohuri, duke shtuar se çdo rast të tillë qytetarët duhet ta raportojnë.