Tiranë: Dështon raundi i parë i votimit për presidentin
Dështon një tjetër raund negociatash mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste.
Takimi mes negociatorëve të të dyja palëve, i kryesuar nga kryetarët e grupeve parlamentare Astrit Patozi e Gramoz Ruçi, u mbyll në pak minuta.
PS e cilësoi zgjidhje të njëanshme atë të PD-së dhe aleatëve të saj që ofruan në këtë takim një emër konkretet si kandidat potencial për t’i dhënë vendit një president konsensual.
Bëhet fjalë për ermin e Xhezair Zaganjorit, një emër që vjen nga drejtësia, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, fryt i një negocimi të gjatë mes aleatëve në qeverisje.
Por, për kryetarin e grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, takimi i së mërkurës në prag të zhvillimit të raundit të parë të votimit, ishte monolog i pozitës dhe jo dialog mes palëve.
Menjëherë pas kësaj deklarate, ka reaguar kryetari i grupit parlamentar demokrat në cilësinë e negociatorit për PD-në Astrit Patozi.
Ai tha se ajo çfarë ndodhi ishte skenar i parapërgatitur i PS-së për të bllokuar procesin e zgjedhjes së presidentit dhe reformat.
Megjithatë, pozitës i mbetet qëndrimi i shprehur për të vijuar me procesin e negocimit me Partinë Socialiste, me shpresën që në raundin e dytë të votohet presidenti konsensual.
Pak minuta pas këtij zhvillimi, u mblodh komisioni parlamentar i ligjeve, vetëm një orë nga zhvillimi i raundit të parë të votimit për zgjedhur presidentin, në pritje të depozitimit të kandidatëve për këtë proces.
Pozita nuk e regjistroi emrin e kandidatit të saj Xhezair Zaganjorit, gjë që ishte paralajmëruar se do të ndodhte nga kryetari i PD-së, njëkohësisht kryeministër i vendit, Sali Berisha.
Ai deklaroi një ditë më parë se në mungesë të konsensusit me opozitën, do te jetë i panevojshëm zhvillimi i një raundi votimi.
Kuvendi u mblodh për procedurë dhe sigurisht në mungesë të kandidatëve nuk u votua.
Neni 87 i Kushtetutës parashikon që raundi quhet i përfunduar edhe kur në të nuk paraqiten kandidatë, kjo çon te raundi i dytë i votimit, i cili sipas parashikimit kushtetues, zhvillohet 7 ditë nga zhvillimi i raundit pararendës të votimit.