Agjencia Kundër Korrupsionit ia fsheh konfliktin e interesit Pacollit
Behgjet Pacolli është biznesmen dhe zyrtar i lartë qeveritar. Ligji e kualifikon si konflikt interesi nëse zyrtari i lartë firmos në emër të bizneseve, por mekanizmi që interpreton ligjin, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), e ka thënë të kundërtën në një rast të hapur për këtë politikan miliarder.
AKK-ja ka dëgjuar vetëm versionin e Pacollit kur ka vendosur të martën ta mbyllte rastin që fliste për veprimtarinë e tij prej përfaqësuesi të një konsorciumi evropian, gjatë kohës sa ushtron edhe funksionin prej zëvendëskryeministri. Objekt shqyrtimi nuk e kishte pasur memorandumin që e gjen Pacollin në konflikt interesi. U është referuar dy të tjerëve, për të dhënë përfundimin se Pacolli “kishte firmosur në emër të Qeverisë”.
E, megjithëkëtë, Zyra e Kryeministrit prej kohësh e ka përgënjeshtruar të tillë version, kur pati reflektuar në kontekst të lajmit të publikuar në Nigeri se Kosova ishte zotuar të bënte investime miliardash në këtë vend afrikan. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, saktë dy muaj më parë, pati thënë në një konferencë shtypi se firmosja e memorandumeve në emër të konsorciumit evropian dhe zotimet e dhëna në to nuk ishin zotime të Qeverisë. “Aktivitet privat” të Pacollit, e pati cilësuar Kuçi.
Edhe të martën Kuçi ka thënë të mos jetë në dijeni për ndonjë memorandum që është nënshkruar në emër të Qeverisë, për investime në Nigeri.
Dy muaj më parë “Koha Ditore” pati publikuar përmbajtjet e dy memorandumeve të mirëkuptimit, të cilat Pacolli i kishte firmosur në cilësinë e përfaqësuesit të kompanisë “Seagas”. Ato mbajnë datën e 15 shtator, respektivisht 16 shtator 2011. Njëri është me ministrin e Tregtisë dhe të Investimeve të Nigerisë, Olusegun Aganga, e tjetri me përfaqësuesin e kompanisë “GreenSpring Ltd”. Gazeta argumentoi se kjo përbënte shkelje ligji.
Bazuar në publikimin e gazetës, AKK-ja pati hapur rast. Dhe të martën e ka mbyllur, duke thënë se nuk ka gjetur konflikt interesi.
“Pas analizës së dokumenteve të ofruara, është konstatuar se në memorandumet e nënshkruara në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga zëvendës (sic!) kryeministri Pacolli, dhe Konzorciumit të firmave Oceanmar Services LTD e Seagas Internacional LTD, me Qeverinë e Nigerisë, nuk ka asnjë lloj papajtueshmërie të funksioneve”, thuhet në arsyetimin e vendimit. “Sipas dokumenteve që Agjencia Kundër Korrupsionit i ka siguruar, në të gjitha këto raporte, ztr. Behxhet (sic!) Pacolli ka përfaqësuar Republikën e Kosovës dhe në asnjë nga këto prova, nuk shihet se ztr. Pacolli është përfaqësues i firmave private ndërkombëtare”.
Dhe është memorandumi i lidhur ndërmjet Qeverisë së Nigerisë dhe konsorciumit “Seagas Services Ltd” që flet për rrethanë krejt tjetër. Kurrkund, as në preambulë dhe as në gjithë përmbajtjen e memorandumit katërfaqësh, e madje as në pjesën ku janë vënë nënshkrimet, nuk i përshkruhet asnjë kapacitet tjetër Pacollit, pos si përfaqësues i konsorciumit evropian. Kurrkund nuk përmendet Kosova dhe as Qeveria e Kosovës.
Në memorandumin ku Pacolli nuk firmos në emër të Qeverisë, por të kompanisë, është përmendur ndërtimi dhe funksionalizimi i një rafinerie nafte në Nigeri, ndërtimi dhe funksionalizimi i një impianti të energjisë elektrike, një projekt-banimi për strehim, krijimi i një rrjeti për transmetimin e energjisë elektrike, krijimi i një fabrike për prodhimin e tubave, një projekt për kryerje punësh në një port detar, ndërtimi i një hoteli me pesë yje në Nigeri, heqja e naftës së papërpunuar, një projekt për ujin në industrinë e energjisë, si dhe një projekt për banka (gjerësisht në “Kohën Ditore”).