Kalo te lënda

Vetëplagoset gruaja e Adem Grabovcit

Kumrije Grabovci (1960), e cila besohet se është gruaja e shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, sipas burimeve policore, është vetëplagosur të hënën rreth orës 23:30.

Burime policore i kanë treguar Gazetës Jeta në Kosovë se katër njësite policore kishin mbërritur në vendin e ngjarjes rreth orës 2:15 të natës për ekzaminim, në një banesë në katin e pestë në rrugën “Rrustem Statovci”, Prishtinë.

“Në atë lokacion është konfiskuar arma e kalibrit 7.62, një predhë, një gëzhojë, një karikator dhe pesë copë plumba të armës. Ato janë konfiskuar nga Njësiti i Krimteknikës Regjionale”, ka thënë burimi policor.

“Vendi i ngjarjes është liruar në orën 2:45. Viktima është plagosur në abdomen dhe ju ka nënshtruar operimit. Ajo gjendet në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale”, thotë ai. “Incidenti figuron si vetëplagosje”.

Sipas tij, ajo besohet të jetë gruaja e Adem Grabovcit, shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Drejtori i klinikës së kirurgjisë, Mehmet Maxhuni, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se pacientja “K.G. është jashtë rrezikut për jetën”.

“Ajo është duke u trajtuar në klinikën e kirurgjisë në QKUK, repartin abdominal”, shtoi ai.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë dhe i pyetur në lidhje me këtë rast, deputeti Adem Grabovci, ka thënë se do të jetë në dispozicion të flasë më vonë gjatë ditës.

Në deklaratat e pasurisë në Agjencinë Kundër-Korrupsionit (AKK) të Adem Grabovcit, Kumrije Grabovci figuron si gruaja e tij. Në listën e votuesve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) figuron vetëm një person me emrin Kumrije Grabovci, e lindur më 1960. /Telegrafi/