Serbët pengojnë KFOR-in në heqjen e barrikadës
Ushtarët e KFOR-it sot rreth orës 11:00 kanë nisur një aksion për mënjanimin e barrikadës në fshatin Rudar të Zveçanit. Ky veprim është shoqëruar nga alarmi i sirenave të strukturave ilegale serbe në këtë pjesë të Kosovës, me të cilat zakonisht bëhet me dije popullata se duhet të grumbullohet. kjo ka bërë që pranë barrikadës të grumbullohen serbët të cilat kanë bllokuar dy automjete të KFOR-it.
Siç raportojnë mediat serbe eprori amerikan i KFOR-it, Joseph Lynch, ka kërkuar nga kryetari ilegal i Zveçanit, Dragisa Milovic që të largohet barrikada.
Ndërsa Milovic, citohet t’i ketë thënë atij se barrikada mund të hiqet kur për këtë të vendosin këshilltarët lokalë, vendim i të cilëve është vendosja e barrikadave.
Siç raporton Beta, Milovic i ka propozuar oficerit amerikan që qytetarët të tërhiqen dhe të zhbllokojnë automjetit e KFOR-it në mënyrë që ushtarët të kthehen në drejtim të Leposaviqit. KFOR-i u dakordua me këtë propozim, kurse pas kësaj banorët serbë u shpërndanë.
Sipas informatave jozyrtare, ushtarët amerikanë të KFOR-it në këtë aksion ishin të mbështetur nga katër helikopterë.
Mediat serbe thonë se aksioni është iniciuar me kërkesë të autoriteteve në Prishtinë, të cilat kërkojnë të zbatojnë marrëveshjen e nënshkruar nga kryenegociatorët në dialog, Edita Tahiri dhe Borko Stefanovic.
Barrikadat në veri të Kosovës janë vendosur vjet nga serbët, në fund të korrikut, kur forcat speciale të policisë së Kosovës, ROSU, u përpoqën të fusnin nën kontroll portat kufitare 1 e 31, përkatësisht pikë kalimet kufitare në Jarinë e Bërnjak. /Telegrafi/