LG lajmëron prodhimin e ekraneve 5 inçësh për smartfonë
Nuk ka dyshime se shumë kompani po i tejkalojnë kufizimet sa i përket zhvillimeve të fundit të teknologjisë touchscreen për smartfonë, por tani LG duket se i ka tejkaluar akoma më shumë me lajmërimin që bëri për nxjerrjen e një ekrani prej 5 inçësh, përfshirë edhe rezolucionin 1080p.
Ekrani i ri do të ketë format 16:9, duke mundësuar një rezolucion HD prej 1920×1080 piksel, me 440ppi që përdor Advanced High Performance In-Plane Switching (AH-IPS), e cila mundëson përmirësim cilësie, kënd më të madh shikimi dhe reaksion më të shpejt.
Për krahasim, iPhone 4S i Apple përdor 3.5 inç, me rezolucion 960×640 të tipit “Retina” dhe me një densitet pikselësh prej 326ppi. Ndërsa, Samsung Galaxy S3 përdor ekran 4.8 inç, Super HD AMOLED me rezolucion 1280×720 piksel. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se rezolucioni më i madh i krijuar deri sot i përket Toshiba me 6.1 inç, e cila është e destinuar të përdoret për tableta dhe ofron 2560×1600 piksel me 498ppi.
Blerësit nuk do të duhet të presin shumë, pasi kjo teknologji e re do të dalë në treg në gjysmën e dytë të këtij viti, por gjithsesi ende nuk dihet se cila pajisje do ta përdor e para këtë teknologji. LG Displays thotë se ekrani i ri me rezolucion të lartë do të prezantohet në SID 2012 në Boston që do të fillojë më 4 qershor.
