Zyra në veri, rrugë alternative deri te “Ahtisaari”
Kurrkund në Planin e presidentit Martti Ahtisaari, mbi bazën e të cilit Kosova ka shpallur pavarësinë, nuk ishte përmendur se duhej bërë një Zyrë Administrative për Komunën e Mitrovicës Veriore, por një “Bord i Përbashkët” ishte paraparë për qytetin e ndarë në dy komuna. Bordi do të bëhet pa u themeluar fare komuna në pjesën veriore të Mitrovicës, që është e banuar kryesisht nga serbët. Në këtë mënyrë Qeveria e Kosovës po përpiqet të gjejë një rrugë alternative deri te zbatimi i Pakos Ahtisaari.
Plani për themelimin e Zyrës Administrative të Mitrovicës Veriore(ZAMV), një kopje të të cilit e ka siguruar të dielën “Koha Ditore”, e parasheh këtë.
“Siç parashikohet në nenin e 13-të të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës dhe në nenin 7 të Ligjit për kufijtë komunalë, një bord funksional i përbashkët i Mitrovicës do të themelohet për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Mitrovicës dhe ZAMV-së në fushat e kompetencave komunale përkatëse”, thuhet në këtë dokument.
Në fakt, Propozimi Gjithëpërfshirës, i njohur si plani Ahtisaari, parasheh që Bordi i Përbashkët të jetë i komunave të Mitrovicës Veriore dhe Mitrovicës Jugore, dhe jo siç parasheh ky dokument qeveritar. Megjithëkëtë, është paraparë që Bordi të zhvillojë bashkëpunim funksional në fushat e kompetencave të tyre, sipas marrëveshjes mes dy subjekteve që e përbëjnë – Mitrovicës dhe ZAMV-së.
Bordi i përbashkët do të përbëhet nga njëmbëdhjetë anëtarë, me nga pesë përfaqësues të zgjedhur nga secili subjekt dhe një përfaqësues ndërkombëtar që do të zgjidhet nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (PCN). Bordi i Përbashkët do të udhëhiqet nga përfaqësuesi ndërkombëtar.
Të mërkurën e shkuar, Qeveria e ka themeluar ZAMV-në dhe menjëherë ka shpallur konkursin për nëpunësit. Konkursi është i shpallur edhe për zyrtarin e lartë, dhe aty përshkruhen kompetencat që do t’i ketë gati sa të kryetarit të një komune. E ndryshe nga konkursi, dokumenti thotë se ky zyrtar “do të ushtrojë përgjegjësitë e njëjta si të kryetarit të komunës”. Pas përzgjedhjes së tij, zyrtari do të emërohet nga Qeveria e Kosovës në koordinim me Zyrën Civile Ndërkombëtare (ZCN)…/Koha Ditore/