Kalo te lënda

Nikolic: Nuk takohem me Hashim Thaçin

Presidenti i zgjedhur i Serbisë, Tomislav Nikolic, ka deklaruar për televizionin rus, Russia Today, se ai është nacionalist, por edhe demokrat, që i respekton vlerat evropiane.

Nikolic ka thënë se do të kalojë kohë e gjatë, derisa të pranohet nga mediat perëndimore, pasi sipas tij, për një kohë të gjatë, për të ka pasur shkrime negative, raporton Rel.

Duke folur për rrugën drejt Bashkimit Evropian, ai ka thënë se “procesi do të ndalet në qoftë se Serbisë do t’i kërkohet që të heqë dorë nga një pjesë e territorit – nga Kosova”.

I pyetur nëse është i gatshëm për dialog me Prishtinën dhe kryeministrin e Kosovës, Nikolic, i cili para se të zgjidhet president ka preferuar ta quajnë edhe “çetnik”, ka thënë se do të diskutojë me përfaqësuesit e Prishtinës, por jo me Hashim Thaçin. “Nuk do të takohem me Thaçin, sepse është i dyshuar për krime kundër popullit serb”.

Presidenti i ri serb njihet për retorikë nacionaliste kundër Kosovës dhe një gjë të tillë e ka dëshmuar edhe gjatë fushatës zgjedhore, në veri të Mitrovicës.

Nikolic është zgjedhur president i Serbisë në balotazhin e 20 majit. Një kohë ka qenë në Partinë Radikale të Vojislav Seseljit, i cili gjendet në Hagë, ku akuzohet për krime lufte të kryera gjatë konfliktit të viteve të ’90-ta në ish Jugosllavi. /Telegrafi/