Kalo te lënda

Mitrovica veriore edhe me Kuvend të Përkohshëm

Embrioni i Mitrovicës veriore nuk do të zërë fill vetëm me Zyrën Administrative të themeluar me vendim të Qeverisë këtë javë. Pas saj do të pasojë edhe konsolidimi i një Kuvendi të Përkohshëm.

Kuvendit nuk do t’i jepet menjëherë i tillë emërtim, me synimin për të evituar refuzimin e serbëve të veriut të Mitrovicës për t’u përfaqësuar në të, të cilët vazhdojnë të mbajnë lidhje të forta me Serbinë dhe të mos njohin autoritetin e shtetit të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore. Pararendës do ta ketë këshillin konsultativ. Dhe përgatitjet për të formuar të tillë organizëm kanë nisur.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka shpallur një konkurs për zyrtarë mbështetës të “Kuvendit të Përkohshëm”. Zyrtari do të ndihmojë udhëheqjen e Kuvendit në hartimin e dokumenteve dhe në çështje të tjera administrative që lidhen me rendin e ditës të propozuar për çdo seancë. Po kështu ai do të ndihmojë në përgatitjen teknike, si dhe do të merret me punë administrative dhe me aspekte teknike e shërbime të tjera logjistike për seancat.