KQZ: Aliu kryetar i Ferizajit
Valdete Daka, kryetare e KQZ-së pak më parë kumtoi rezultatet paraprake të balotazhit për kryetar të komunës së Ferizajt, të cilat u mbajtën sot, e sipas tyre, fitues është përfaqësuesi i PDK-së, Agim Aliu, i cili ka marrë 57. 59 për qind të votave kundrejt Adem Salihajt të LDK-së, i cili ka marrë 42.41.
Pjesëmarrja në balotazh ka qenë më e ulët se sa në garën parë për të parin e komunës së Ferizajt.
KQZ: Në zgjedhje kanë marrë pjesë 27.94% e votuesve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në konferencën e katërt për media të mbajtur në ora 20.00, paraqiti raportin lidhur me mbylljen e vendvotimeve, dhe të daljes së qytetarëve në zgjedhje, në procesin votues të Raundit të Dytë për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar Komune në Ferizajt. Rezultati paraprak pritet të shpallet në ora 21.00 në selinë e KQZ-së në Prishtinë.
Të gjitha vendvotimet, janë mbyllur në ora 19.00. Në zgjedhje, sipas Komisionit Komunal të Zgjedhjeve të Ferizajt, kanë marrë pjesë 27.94% e qytetarëve me të drejtë vote, ose 26667 votues, ndërsa në Raundin e parë kishin marrë pjesë në votime 31.07%, ose 29660 votues.
Në këtë konferencë, kryetarja e KQZ-së, znj. Valdete Daka, tha se, sipas Pilot-projektit të KQZ-së “K-vote”, dalja e votuesve është 28%, ose 26728 votues. BS
Prin Aliu
Nga 111 vendvotime të numëruara, sipas organizatës INPO, prin kandidati i PDK-së Agim Aliu me 57 për qind të votave, ndërsa Adem Salihaj ka marrë 43 për qind të votave. Po sipas kësaj organizate pjesëmarrja në zgjedhje nuk ishte më shumë se 30 për qind. BS
Mbyllen qendrat e votimit
Burimet mbrenda LDK-së bëjnë me die se janë mbyllur të gjitha venvotimet në komunën e Ferizajt, edhe pse ka pasur parregullësi vëzhguesit e LDK-së i konsideroj këto zgjedhje kryesisht të qeta.
D4D: Deri në ora 17:00 kanë votuar 22.6%, votuesit po shantazhohen
Ferizaj – Në bazë të informacioneve të mbledhura nga vëzhguesit e D4D-së, deri në ora 17:00 kanë votuar 21,179 votues (plus 388 votues me kusht) ose 22.6% nga numri 18.5% ndërsa në zonat rurale 27%. Dalja më e lartë ka qenë 37.16% në një vendvotim, dhe më e ulëta ka qenë 11%. Mesatarisht kanë votuar 171 votues për një vendvotim. Gjatë vizitave që ekipet mobile të D4D-së dhe INPO-s kanë bërë në qendra të ndryshme të votimit, ata kanë vërejtur turma të mëdha njerëzish të cilat kanë qëndruar para qendrave të votimit e të cilat janë larguar me paraqitjen e ekipeve tona në qendra të votimeve. Ikja e tyre me rastin e vizitave të ekipeve tona, rrit edhe më shumë dyshimet se prania e tyre në qendra të votimit është e paautorizuar dhe ka për qëllim shantazhimin e votuesve. Në shumë vendvotime vëzhguesit e partive politike nuk kanë mbajtur dokumentet e tyre identifikuese në vendin përkatës. Fotoja në vijim e dëshmon se si fshihen dokumentet identifikuese nga vëzhguesit e partive politike. Në qendrën e votimit 2504D, vendvotimi 06d, drejtori po sjellë votues të cilët nuk janë nga komuna e Ferizajt. Po ashtu në të njëjtin vendvotim një votues ka tentuar që të votojë edhe në emër të bashkëshortes së tij (me letërnjoftim të saj, pa praninë e saj), por i njëjti është ndaluar. Në qendrën e votimit 2501D (shkolla Tefik Qanga), vendvotimi 02r, ka pasur një tensionim të vogël në mes të një votuesi dhe një komisioneri. Deri të tensionimi i situatës ka ardhur në momentin kur komisioneri i ka bërë të ditur votuesit në fjalë që nuk mund të asistoj në votim një të afërme të tij pa u nënshkruar paraprakisht në listë të votuesve se e njëjta ka nevojë për asistencë në votim. Pas kësaj, votuesi në fjalë është nervozuar dhe ka bërë të pavlefshme fletëvotimet e tij dhe të afërmes së vetë. Deri te qetësimi i situatës ka ardhur kur të njëjtëve i janë dhënë fletëvotime të reja për të votuar. Në qendrën e votimit 2507D, 01r, një votuesi i është lejuar që të votojë me kopje të letërnjoftimit. BS
KQZ: Dalje e ulët e votuesve në Ferizaj
Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i kanë thënë Rel se procesi zgjedhor në raundin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Ferizajt, po zhvillohet normalisht.
Por, zëdhënësi i KQZ-së, Fehmi Ajvazi, e ka vlerësuar të ulët daljen e deritashme të qytetarëve në votime.
“Deri në orën 15, kanë votuar 16. 98 për qind e qytetarëve me të drejtë vote”, ka thënë Ajvazi.
Të drejtën e votës e kanë 95 mijë e 449 qytetarë në komunën e Ferizajt.
Ndërkaq, përfaqësuesit e koalicionit të OJQ-ve, Demokracia në Veprim, e cila po monitoron zgjedhjet në Ferizaj, kanë bërë të ditur se janë vërejtur disa parregullsi në vendvotime, por të cilat nuk e pengojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
D4D dhe INPO: Deri në mesditë kanë votuar 9% e votuesve
D4D dhe INPO, kanë bërë të ditur se deri në orën 12:00, në raundin e dytë të zgjedhjeve në Ferizaj kanë dalë 8 mijë e 569 votues ose 9% nga numri total i votuesve. Në zonat urbane dalja ka qenë 6.9% ndërsa në zonat rurale 11.2%. Dalja më e lartë ishte 19% në një vendvotim, dhe më e ulëta ishte 3.74%. Mesatarisht kanë votuar 69 votues për një vendvotim.
Sipas vëzhguesve të D4D-së dhe INPO-s, procesi i votimit në përgjithësi është duke shkuar në rregull me disa përjashtime të vogla.
11:40 – KQZ: Procesi në Ferizaj zhvillohet normalisht
Të dhënat dhe raportet, të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka mbledhur nga terreni, tregojnë se procesi zgjedhor në raundin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarit të komunës së Ferizajt, po zhvillohet normalisht.
Fehmi Ajvazi, zëdhënës i KQZ-së, thotë se prej 95 mijë e 449 votuesve me të drejtë vote, deri më tash kanë votuar rreth 6 për qind të tyre.
“Deri në orën 11 kanë votuar 5 mijë e 765 votues. Deri më tash nuk është shënuar asnjë lloj problemi që do ta cenonte procesin e votimit”, ka thënë Ajvazi.
Ndërkaq, përfaqësuesit e koalicionit të OJQ-ve, Demokracia në Veprim, e cila po monitoron zgjedhjet në Ferizaj, thonë se procesi në përgjithësi ka filluar mbarë dhe se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë, përveç dy apo tri rasteve ku vendvotimet janë hapur me vonesë të shkurtër.
Besnik Ramadanaj nga Demokracia në Veprim thotë se parregullsitë e shënuara gjatë orëve të para janë të karakterit dytësor.
“Ka pasur probleme me gjetjen e emrave në listat e vëzhguesve. Kanë ndodhur edhe disa raste të votimeve të familjarëve. Ka pasur raste kur komisionarët kanë lëvizur gjatë gjithë kohës nga vendvotimet. Por, kjo mbase për shkak të numrit të vogël të votuesve”, ka thënë Ramadanaj.
Ndryshe, rrethi i parë i votimeve është mbajtur më 29 prill. Rezultatet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë treguar se kandidati i PDK-së, Aliu, ka fituar 40.7 për qind të votave, kurse Salihaj i LDK-së 24.09 për qind të votave.
DnV: Deri në orën 9:00, kanë votuar vetëm 2 për qind e votuesve në Ferizaj “Demokracia në Veprim” është duke monitoruar procesin zgjedhor në Ferizaj. Kjo organizatë ka bërë publike të dhënat e e deritashme.
Sipas DnV-së shumica nga 25 qendrat e votimit në Ferizaj kanë qenë të gatshme për votim dhe janë hapur me kohë, përkatësisht në orën 7:00, përjashtuar tre vendvotime që kanë pasur vonesa deri në 10-15 min.
Materialet senzitive kanë ardhur me kohë në vendvotime gjë që ka mundësuar fillimin e rregullt të procesit të votimit. Në të gjitha këto qendra, pjesëmarrja e komisionerëve është në numrin dhe kohën e duhur sipas planifikimit dhe procedurave ligjore, megjithatë në qendrën 2513d është vërejtur lëvizje e komisionerëve, të cilët po dalin nga vendvotimet duke mbetur me vetëm nga 2 komisionerë, ndoshta si rezultat i pjesëmarrjes së vogël të qytetarëve në orët e para të votimit.
Listat e votuesve nga raundi i parë deri tani në balotazh vlerësohen të pandryshueshme dhe nga vëzhguesit tanë janë hasur raste ku personat e vdekur janë ende në listat e votuesve.
Deri në ora 9-të, sië raportojnë vëzhguesit e DnV-së, komisionerët po zbatojnë të gjitha procedurat e parapara rreth evidentimit dhe verifikimit të dokumentave, të procedurës së shenjimit me sprej dhe kontrollit me llamba ultraviolente.
Deri më tani, të paktën në një qendër, është raportuar se ka votues të cilët kanë pasur probleme dhe vështirësi në gjetjen e emrave të tyre në listat e votuesëve, duke iu bërë ndërrimi i vendvotimit, dhe nuk ka pasur informata të duhura dhe me kohë rreth asaj se ku duhet të votojnë. Kjo ka ngjarë në qendrën 2513d. Po ashtu është raportuar edhe për 3 raste të votimeve familjare në qendrën 2515d.
Në 25 qendrat e votimit në Ferizaj, deri më tani nuk është hasur prania e personave të paautorizuar, nuk janë vërejtur presione dhe nuk janë evidentuar pritje të gjata.
Deri më tani në këtë kohë të gjithë qytetarët të cilët kanë shprehur gatishmerinë e tyre për të marrë pjesë në votimin për raundin e dytë për zgjedhjen e kryetarit të Ferizajt kanë mundur në mënyrë të lirë përmes votimit të shprehin vullnetin e tyre, thuhet në njoftim.
Duke pasur parasysh që në raundin e parë pjesëmarrja e qytetareve për të votuar ka shprehur shkallën më të ultë të pjesëmarrjes nga të gjitha zgjedhjet në Kosove dhe sot sipas të dhënave të Demokracisë në Veprim, deri në orën 09:00, kanë votuar mbi 2 për qind.
Kjo indefirencë qytetare vjen ndoshta dhe si pasojë e kohës së hershme kur po raportojmë. DnV u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje.
Fillon procesi i votimit
Në Ferizaj ka nisur raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës.
Në balotazh janë kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Agim Aliu, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj.
Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Ferizaj ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.
Demokracia në Veprim monitoron edhe këtë raund zgjedhjesh me rreth 40 monitorues.
Rrethi i parë i votimeve është mbajtur më 29 prill. Rezultatet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë treguar se kandidati i PDK-së, Aliu, ka fituar 40.7 për qind të votave, kurse Salihaj i LDK-së 24.09 për qind të votave.