Kuçi: Për Zyrën në veri ka pasur konsulta të mjaftueshme
Për hapjen e Zyrës Administrative në veri të Kosovës, autoritetet e Kosovës kanë pasur konsulta të mjaftueshme me faktorin ndërkombëtar, ka thënë zv/kryeministri Hajredin Kuçi.
Ai i ka bërë këto komente pasi zëdhënësi i KFOR-it, Marc Stuemler, i ka thënë Radio Dukagjinit se kjo zyre është tërësisht jashtë kompetencave të KFOR-it.
“Suksesi i Zyrës varet nga faktori vendor edhe ai ndërkombëtar dhe koordinimi me qytetarët serbë”, ka thënë Kuçi, kur është pyetur nga “Tribuna Shqiptare”, nëse edhe këtë zyrë do ta presë fati i disa projekteve tjera në këtë pjesë të Kosovës, që nuk u treguan të suksesshme.
Ndërkohë, Kuçi nuk ka dashur ta komentojë deklaratën e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi se mocioni i Kuvendit nuk është obligativ për Qeverinë e Kosovës për vazhdimin e dialogut. “Mocioni, ashtu siç vjen nga Kuvendit, Qeveria do ta respektojë”, ka thënë Kuçi. /Telegrafi/