Jahjaga e Topi vizitojnë të plagosurat e aksidentit të Himarës
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e shoqëruar nga Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi kanë vizituar pak më parë të plagosurat e aksidentit tragjik të Himarës të cilat marrin mjekim në Spitalin Ushtarak.
Në fjalën e saj pas vizitës Jahjaga shprehu ngushëllimet e thella të popullit të Kosovës, institucioneve dhe të sajin personal për familjarët e viktimave dhe për mbarë popullin e Shqipërisë.
“Bashkëndiejmë këtë dhimbje të madhe nga kjo tragjedi e rëndë, jemi me familjarët me të afërmit e tyre, ju japim kurajo që të gjejnë forcën dhe ngushëllimin, si dhe të ruajnë kujtimin e përjetshëm për të dashurit e tyre”, u shpreh Jahjaga, raporton noa.
Nga ana e tij Presidenti Topi falënderoi mysafiren kosovare dhe gjithë autoritetet e shtetit të Kosovës për ndjeshmërinë e lartë qysh nga momenti që u mësua tragjedia, ndërsa shprehu mirënjohjen e tij për këtë vizitë.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të të aksidentuarave që po trajtohen në Spitalin Ushtarak, Kreu i Shtetit tha se gjendja e vajzave është e përmirësuar dhe nga momenti në moment mund të lënë në spital, por kjo varet nga ajo që do u thonë mjekët.
“Komuniteti shqiptar në Austri ka treguar solidaritet të lartë për vajzat që janë atje për mjekim por edhe për tu ofruar strehim dhe trajtim familjarëve, kjo tregon që në situata të tilla shqiptarët janë shumë të ndjeshëm. Ju falënderoj zonja Presidente dhe uroj që të takohemi vetëm në raste të gëzueshme”, mbylli fjalën e tij Presidenti Bamir Topi./Indeksonline/