Rexhepi: Jemi të vendosur ta mbrojmë zyrën në veri
Formimi i Zyrës Administrative në Mitrovicën e Veriut është një hap i rëndësishëm, pasi që është një lloj ‘komune’ në bazë të Pakos së Ahtisaarit, ka thënë për “Tribuna Shqiptare”, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.
Sipas tij, kjo zyrë do të ofrojë shërbime për qytetarët e asaj ane pasi që një numër i madh i tyre kanë bërë kërkesa, ndërsa tash do ta kenë qasjen më të lehtë për të pasur shërbime sikur gjithë qytetarët e tjerë.
“Në një të ardhme të afërt presim që të organizohen zgjedhje lokale atje të organizuara nga institucionet e Kosovës në mënyrë që të kemi partnerët legal të asaj ane. Kjo në një mënyrë është gati përmbushje e Pakos së Ahtisaarit, duke ndikuar që edhe monitorimi i pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës të përfundojë në shtator”, ka thënë Rexhepi.
Sipas tij, ekziston gatishmëria e KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës që të jenë këmbëngulës për të mundësuar funksionimin e kësaj zyreje. “Ne presim protesta, dhunë dhe gjera tjera, mirëpo ne duhet të jemi të vendosur që ajo të funksionoj dhe njerëzit të kenë qasje të lirë në këtë zyrë administrative”, ka theksuar Rexhepi.
Ndërkaq, Sadri Ferati, ish-ministër i Pushtetit Lokal bënë të ditur se së shpejti do e thërrasin në Komisionin për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, zv/kryeministrin dhe ministrin e Administrimit Lokal, Sllobodan Petroviq për të treguar më detajisht sa i përket kësaj zyre dhe të përgjigjet në disa dilema që ka ky komision.
Sipas Ahmet Isufit të AAK-së, kjo zyrë pritet ta ketë fatin e Zyrës së ish-koordinatorit, Ylber Hysa. Ndërsa, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje mendon se kjo është një përpjekje kozmetike e Qeverisë./Indeksonline/