Pastrimi i Kosovës i bashkon liderët
Prishtinë, 24 maj – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, dhe kreu i Prishtinës, Isa Mustafa, bashkërisht sot morën pjesë në fillimin e aksionit më të madh deri tash për pastrimin e Kosovës. Ata ishin në Lagjen “Dardania” të kryeqytetit, afër shkollës “Xhemajl Mustafa”
Në aktivitetin e pastrimit të mjedisit, një nismë e filluar në mbi 100 shtete të botës në të cilën është përfshirë edhe Republika e Kosovës, presidentja Jahjaga theksoi se ky aksion duhet të shndërrohet në punë e shprehi të përditshme të të gjithë qytetarëve.
“Sot kemi dalë që të përkrahim një iniciativë të këtillë, sepse Kosova është atdheu ynë dhe secili prej nesh dëshiron që ta ketë një vendbanim, një lagje dhe një qytet më të bukur, më të mirë dhe më të pastër”, tha presidentja.
Sipas saj, kjo është një iniciativë shumë e mirë të cilës edhe Republika e Kosovës i është bashkangjitur, iniciativë që tanimë ka filluar në mbi 100 shtete të tjera dhe që ka aspektin vullnetar të qytetarëve të ndryshëm, që është iniciativë që quhet “Let’s do it World”.
“Duhet të përshëndetet një iniciativë e këtillë, që ka filluar edhe në Kosovë dhe shpresoj që ky aktivitet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Dhe jo vetëm sot, në bazë të vullnetit të mirë, jo vetëm në Prishtinë, po në të gjitha qytetet e tjera të Republikës së Kosovës, kjo iniciativë të vazhdojë dhe të mirëmbahet si e këtillë, sepse të gjithë ne dëshirojmë që Kosova të jetë e pastër dhe duhet ta mbajmë të tillë”, u shpreh Jahjaga.
Ndër të tjera, presidentja e vendit deklaroi se kjo ka të bëjë edhe me aspektin e vetëdijesimit të njerëzve, sepse nuk është punë e një dite, por është punë e përditshme, meqë dëshirojmë të kemi një ambient më të pastër, për një jetë më të mirë dhe më të shëndetshme për të gjithë qytetarët.
Aksioni, më i madhi i këtij lloji në Kosovën e pasluftës, ka për qëllim të pastrojë vendin nga mbeturinat.