Kosova do ta ketë himnin e saj “Kur ka ra kushtrimi …”!
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha të enjten se partia që ai drejton është alternativa më e mirë për të ardhmen e Kosovës. Ai tha se LDK do t’i respektojë vlerat e njëmendta të kombit dhe kontributet e secilit, nëpër të gjitha etapat historike.
Mustafa tha se me ardhjen e LDK-së në pushtet, Kosova do ta ketë himn të saj “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, himn ky që filloi me luftërat në Karadak si dhe flamurin e Dardanisë, që u ideua dhe propozua nga Presidenti Rugova. Për këtë, Mustafa tha se është i njoftuar si Brukseli, si Washingtoni. “Dhe, ne do ta bëjmë këtë, pa dyshim”.
Mustafa i bëri këto komente gjatë vizitës në Grykën e Karadakut, me rastin e 24 Majit – Ditën e Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ku i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, vendosi kurora lulesh te Memoriali i Dëshmorëve në Gjilan, mbi varret e heronjve Idriz Seferi dhe Agim Ramadani dhe heronjve të tjerë të Kosovës nga ana e Karadakut.
“Ne po vazhdojmë me thellimin e reformave në LDK, po vazhdojmë me krijimin e hapësirave të reja për të rinjtë, sikur që po vazhdojmë edhe me riintegrimin e plotë të të gjithë atyre që po rikthehen ose po aktivizohen brenda gjirit të partisë”, tha Mustafa para sipmpatizëntëve në Gjilan.
Me këtë angazhim, neve i bëjmë nder LDK-së po edhe vetë emrit të Rugovës, emër të cilin duhet ta nderojmë e respektojmë me angazhim konkret, për çdo ditë dhe pareshtur, sepse vetëm kështu i ndihmojmë Kosovës dhe, e kthejmë atë për së mbari, duke e çliruar nga një qeverisje e keqe, që realisht e ka pllakosur”, tha ndër të tjera Mustafa. /Telegrafi/