Kalo te lënda

Jahjaga: Paraja publike të menaxhohet me efikasitetet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar të enjten se Sistemi i prokurimit publik duhet të jetë transparent dhe paraja publike duhet të menaxhohet në mënyrë efikase.

Ajo ka thënë se është e nevojshme ngritja e fushatave të vetëdijesimit që ndërlidhen me korrupsionin, me qëllim të shtrirjes së ndikimit sa më të gjerë tek të gjitha shtresat e shoqërisë, përfshirë edhe komunitetin e biznesit.

Presidentja i ka bërë këto komente në takimin i tretë të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, që u përqendrua në temën e “Korrupsionit në fushën e prokurimit publik”.

Jahjaga theksoi rëndësinë e miratimit të Planit të Veprimit Kundër Korrupsionit 2012 – 2016, sipas të cilit përcaktohen politikat e përgjithshme në luftën kundër korrupsionit.

Ajo theksoi se kjo strategji duhet të miratohet sa më parë meqë përfshinë edhe veprimet që duhet të ndërmerren në fushën e prokurimin publik, financat publike dhe menaxhimin e tyre.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës theksuan nevojën e fuqizimit të institucionit qendror të prokurimit i cili do të merrej me shqyrtimin e rasteve dhe monitorimin e zbatimit të ligjit të prokurimit publik.

Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, i krijuar me dekret nga Presidentja e Republikës së Kosovës, do të vazhdojë punimet e tij me takimin e radhës që është paralajmëruar të zhvillohet pas një muaji. /Telegrafi/