Thaçi: Nuk ka bisedime pa zbatimin e marrëveshjeve
Kryeministri Hashim Thaçi, ka thënë se Qeveria e Kosovës, nuk do të nis raund të ri të bisedimeve me Serbinë pa u implementuar marrëveshjet e arritura deri më tash, përkatësisht ajo për bashkëpunim rajonal dhe ajo e menaxhimit të integruar të kufirit.
“Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është shumë i qartë. Fillimisht implementimi i marrëveshjeve në mes të shteti të Kosovës dhe Serbisë, para se gjithash ai për bashkëpunimet regjional dhe IBM dhe pastaj do të vijnë hapat tjerë për të vazhduar dialogu teknik. Por, fillimisht implementimi”, ka theksuar Thaçi.
Ndërsa, Bashkimi Evropian ende nuk ka agjendë të qartë për vazhdimin e dialogut Prishtinë – Beograd. Në një prononcim për Radio Kosovën, zëdhënësja e shefes së diplomacisë Kethrin Eshton, tha se BE-ja pret inaugurimin e presidentit dhe formimin e qeverisë së re në Serbi, raporton RTK.
“Pastaj, do të kemi konsultime me të dyja palët për të parë se si dhe kur do të vazhdojmë. Aktualisht, ka vazhduar puna në nivele më të ulëta”, tha Maja Kocijançiq, duke përmendur si shembull takimet ndërmjet grupeve punuese për implementim./Indeksonline/