Kalo te lënda

Policia përdor dhunë

(E plotësuar) Policia e Kosovës ka arrestuar disa aktivistë të Lëvizjes “Studim, Kritikë dhe Veprim” e që është “filiale” e Vetëvendosjes në Universitetin e Prishtinës.

Policia e ka marrë këtë aksion, pasi që aktivistët e kësaj lëvizje, kanë tentuar të pengojnë shortin për zgjedhjet studentore në UP.

Pas kësaj Policia ka përdorur edhe dhunën për të shpërndarë protestuesit dhe ka pasur të lënduar./Indeksonline/

I plotë reagimi i Vetëvendosjes

“Rektorati policor

Sot, më 25 maj në mesditë Komisioni Zgjedhor për Zgjedhjet Studentore në UP nëpërmjet telefonit kontaktoi përfaqësuesin e Lëvizjes Studentore për Barazi – STUDIM KRITIKË VEPRIM, Rron Gjinovcin, të cilin e ftuan për tërhequr shortin për zgjedhjet studentore të 6 qershorit.

Mirëpo në kohën e paraparë për tërheqjen e shortit, Rroni te rrethoja e rektoratit nuk u lejua që të hynte nga rojtari me arsyetimin se Sekretari i UP-së, Vaxhid Sadriu e paska urdhëruar atë që të mos e lejonte të marrë pjesë në tërheqjen e shortit (ndonëse Komisioni të cilin e udhëheq Vxhid Sadriu e kishte ftuar Rronin).

Meqenëse vendim i padrejtë, ne tentuam të hymë në mbledhjen në të cilin na kishin ftuar. Mirëpo duket se ftesa e tyre ishte kurth tinzar ndaj SKV-s. Sigurimi i Rektoratit që priti studentët me shkopinj gome nuk i mjaftoi Rektoratit. Ata ftuan edhe mbi 50 Policë të njësive të ndryshme, të cilët ndërhyn në mënyrë brutale për t’i arrestuar studentët. Policia gjatë arrestimit brutal, përdori sprej lotsjellës e shkopinj gome, për të arrestuar studentët e UP-s.

Universiteti është i studentëve dhe për studentët. Por Rektorati që e ka katandisur UP-në në gjendje të mjerueshme ka vendosur diktatin partiak dhe aparatin policor për të rrahur studenë të UP-së që po organizohen për një Universitet të mirëfilltë.

SKV kërkon lirimin e menjëhershme të aktivistëve të saj. SKV nuk do të ndalet në rrugëtimin e saj të organizimit të studentëve për një Universitet të studentëve e të shkencës e jo të klientelizmit politik e të dhunës policore.”