Kalo te lënda

Maloku – drejtor me konkurs të kurdisur, Kuqi mohon

Ministria e Drejtësisë ka mashtruar tetë kandidatë për drejtor të Burgut të Sigurisë me konkursin e shpallur javë më parë. Ata u janë nënshtruar procedurave të parapara me Ligjin për përzgjedhjen e stafit civil, ndërkohë që drejtori ishte caktuar një muaj më parë. Pritej vetëm legalizimi i emërimit të drejtorit.

Kandidati që ka “fituar” këtë konkurs, Naim Maloku, ka thënë se një muaj para shpalljes së konkursit kishte ofertë nga ministri Hajredin Kuçi për t’u bërë drejtor burgu. Bile Maloku ka thënë se Kuçi i kishte dhënë një muaj kohë për të menduar për këtë pozitë të cilën ai e quan “sfidë të radhës”.

“Zyrtarisht detyrën e kam marrë më 7 maj. Biseda ka filluar me mu diku në gjysmë të marsit”, ka thënë Maloku të martën për “Kohën Ditore”. “Po, në mars kam pasur ofertë dhe kam pasur nja një muaj afat për me mendu dhe me i mat do gjëra rreth angazhimit tim dhe diku kah gjysma e prillit unë kam dhanë pëlqimin që jam për atë. Ndërkohë ka qenë i përgatitur kështu-ashtu konkursi për drejtor”, ka thënë ai.

Sipas gazetës, Maloku ka konfirmuar se konkursi ka qenë vetëm formal, sepse tashmë ishte marrë vesh me Kuçin që të bëhej drejtor.

Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-këshilltari i ish-presidentit Behgjet Pacolli, ka ripërsëritur se ofertën për këtë punë e kishte marrë nga zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi.

“Nga zëvendëskryeministri dhe ministër i Drejtësisë”, është përgjigjur ai kur është pyetur sërish se kush ia kishte ofruar këtë punë.

Por ministri Kuçi ka mohuar këtë. Ka thënë se konkursi ka qenë i hapur. Aty, sipas tij, ka konkurruar edhe Naim Maloku dhe nga komisioni është vlerësuar me pikë maksimale për këtë detyrë. Tri herë është pyetur se a i ka ofruar këtë detyrë Malokut dhe tri herë ka refuzuar të përgjigjej. Ka thënë se është nder që ai është në Shërbimin korrektues.

(Tekstin e plotë lexoni sot në Koha Ditore)