Familja Jaha kërkon 3 milionë € nga PTK-ja
Në Gjykatën Komunale në Prishtinë, të hënën u mbajt seanca civile për kompensim dëmi për të dëmtuarin Lahë Jaha dhe familjarët e tjerë të Xhevdet Jahës, i cili u vra në dhjetor të vitit 2005, në një plaçkitje në afërsi të ndërtesës qendrore të PTK-së në Prishtinë. Familja kërkon tre milionë euro në emër të kompensimit të dëmit për vuajtjet psikike.Gjykata Komunale në Prishtinë i kishte shpallur, më herët, fajtorë për vrasjen, të akuzuarit Alban Rexha, Alban Kastrati, Gëzim Shabani, Besim Ferizi, Flamur Berisha dhe Valon Fazliu. Katër prej tyre, dje janë paraqitur në gjykatë, në cilësinë e të paditurve së bashku më Postën dhe Telekomin e Kosovës, e cila ka qenë edhe punëdhënëse e të ndjerit Jaha.
Në seancën e cila u mbajt te gjykatësi Albert Zogaj nuk prezantonin të akuzuarit Gëzim Shabani dhe Besim Ferizi të cilët nga burgu i Dubravës kanë deklaruar se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në seancë.
Përfaqësuesi i autorizuar i paditësve, Muhamet Humolli, deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe i propozoi gjykatës që ta aprovojë si të bazuar. Humolli tha se konsideron se janë plotësuar kushtet ligjore deri në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë me anë të të cilit është vërtetuar edhe aktgjykimi i komunales.
Përfaqësuesja e të paditurës së parë, PTK, deklaroi se e kundërshton në tërësi padinë dhe kërkesën e saj, duke u vënë kështu kryekëput fajin të akuzuarve/ paditurve, pasi që ata kanë plaçkitur ata dhe kanë vrarë, tani të ndjerin, Xhevdet Jaha. Ajo tha se PTK nuk është në gjendje të paguajë kompensim dëmi në vlerën e caktuar në padi.
Kjo u kundërshtua nga avokati i paditësve, i cili tha se PTK nuk i ka siguruar kushte të duhura viktimës, armë për vetëmbrojtje, dhe se gjithashtu njëri nga të akuzuarit, Besim Ferizi, ka qenë punëtor i PTK-së.
Në përgjigje në padi, PTK-ja ka prezantuar një rregullore të punës, e cila u kundërshtua ashpër nga përfaqësuesi i paditësve, i cili tha se “jeta e njeriut nuk matet me miliona”.
Padia dhe kërkesa e saj u kundërshtuan edhe nga të paditurit prezentë në gjykim. I padituri Alban Rexha deklaroi se i vjen keq për atë që ka ndodhur , mirëpo për këtë vepër ai është duke paguar dënimin e tij dhe nuk ka pse të paguajë edhe kompensim dëmi.
I padituri Alban Kastrati deklaroi se e kundërshton kërkesë padinë dhe i propozoi paditësve që të padisin Postën dhe Telekomin e Kosovës, sepse ai është dënuar padrejtësisht, ndërsa përfaqësuesi i tij ligjor, gjykatën civile e njoftoi me kërkesën e të cilën ai e kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese më 7 mars 2012. Ai i propozoi gjykatës që të ndërpresë procedurën, mirëpo kjo u kundërshtua nga përfaqësuesi i paditësve.
Edhe të paditurit Flamur Berisha dhe Valon Fazliu shprehën keqardhje për atë që ka ndodhur dhe e kundërshtuan padinë.
Pasi që gjykata i procedoi të gjitha provat, i ftoi palët në fjalën e tyre të fundit.
Përfaqësuesi i autorizuar i paditësve i propozoi gjykatës që padinë ta aprovojë si të bazuar, pasi që edhe përkundër humbjes së madhe që kanë pasur familja e viktimës ka pasur dhemje e dëme materiale.
Gjykatësi i çështjes i njoftoi palët se vendimin do të marrin në formë të shkruar, brenda afatit ligjor.Nga Erëlehta Popaj/Gazetajnk/