Kalo te lënda

Thaçi-Serbisë: Lëri të lirë serbët e Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës priti sot komisionarin e lartë të OSBE-së për minoritetet, Knut Vollebaek. Gjatë takimit ata diskutua për gjendjen e minoriteteve në Kosovë, me fokus të veçantë në kthimin e të zhvendosurve.

Kryeministri Hashim Thaçi theksoi se përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe rezultatet e arritura dëshmojnë më së miri se Republika e Kosovës është bërë model në rajon për respektimin e të drejtave të njeriut, duke integruar në mënyrën më afirmative të mundshme komunitetet në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Ai po ashtu shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës po punon vazhdimisht në inkurajimin e të gjithë të zhvendosurve për t’u kthyer në shtëpitë dhe pronat e tyre.

“Qeveria është e gatshme që edhe më tej të bashkëpunojë ngushtë me OSBE-në dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, për të përmirësuar pozitën e pakicave” – theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se Republika e Kosovës është thellësisht e përkushtuar në përmbushjen e të gjitha standardeve dhe kritereve evropiane, dhe në këtë kuadër forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë është i një rëndësie të veçantë për integrimin e rajonit në BE dhe në NATO.

Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi bëri thirrje sërish tek Serbia që të heq presionin nga serbët e Kosovës dhe të kërkojë nga ta integrimin në institucionet e Kosovës.

“Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, me mundësi të barabarta dhe afirmative për komunitetet”, theksoi kryeministri Thaçi.

Nga ana e tij, komisionari i lartë për minoritete në OSBE, Knut Vollebaek shprehu bindjen që Qeveria e Republikës së Kosovës edhe më tej do të angazhohet për integrimin e minoriteteve në shoqërinë kosovare, si e vetmja rrugë e prosperitetit  të Kosovës.