EULEX-i konfirmon bastisjen për krim të organizuar
Ndërkohë, rreth bastisjes në fshatin Dolan të Zveçanit, është prononcuar përmes një komunikate edhe EULEX-i. Në komunikatë theksohet se “Sot në mëngjes, nën mbikëqyrjen e prokurorit të EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës, policia e EULEX-it nga Njësia Hetimore për Krimin e Organizuar dhe Njësia e Policisë Speciale zhvilluan bastisje në veri të Kosovës në fshatin Dolan pranë Zvecanit. Bastisja u krye në lidhje me një hetim mbi krimin e organizuar, vjedhje, kontrabandim mallrash dhe trafikim droge. Gjatë bastisjes, e cila u autorizua nga një gjykatës i EULEX-it, u konfiskuan dy armë, municion dhe dokumente”. Në komunikatë nuk përmendet familja Veselinoviq, por këtë e konfirmojnë mediet serbe.
Zhbllokohet EULEX-i, Zveçani ndërpret komunikimin me të
Zveçan, 22 maj – 12:23 – (E plotësuar) Protestuesit serb, të cilët kishin bllokuar makinat dhe personelin e EULEX-it që kishin marrë pjesë në kontrollin e shtëpisë së Veselinoviqve, janë liruar të kthehen në jug të Mitrovicës rreth orës 9:30. Kjo është bërë e mundur pas një bisede në mes të Dragisha Milloviqit dhe përfaqësuesve të EULEX-it. Komuna e Zveçanit suspendon çdo bisedë me përfaqësues të EULEX-it, ka thënë Dragisha Milloviq, kryetar i kundërligjshëm i komunës së Zveçanit. Sipas tij, përdorimi i gjithë kësaj force në këtë bastisje ka për qëllim frikësimin e popullatës serbe dhe për këtë ndërpres çdo kontakt me EULEX-in, u thaë Milloviq banorëve të fshatit Dolane
Policia e EULEX-it bastis shtëpinë familjare të Veselinoviqve
Zveçan, 22 maj – 10:13 – Pjesëtarët e policisë speciale të EULEX-it herët në mëngjes kanë bastisur shtëpinë familjare të Veselinoviqve më fshatin Dolani, të komunës së Zveçanit, në veri të Kosovës. Sipas mediave serbe, aksioni kishte filluar në orën pesë të mëngjesit kur pjesëtarët e policisë së EULEX-it me dy helikopterë dhe disa xhipa të blinduar mbërritën në fshat.
Banorët e fshatit fill pas uljes së helikopterëve kanë janë tubuar aty afër ku EULEX-i po zbatonte operacionin. Diçka pas orës 7.00 pjesa më e madhe e pjesëtarëve të EULEX-it kanë shkuar nga vendi i ngjarjes dhe për momentin nuk dihet për detajet se çfarë ka kërkuar EULEX-i dhe as për ç’arsye është kryer aksioni./koha/