Nesër gjithë Shqipëria në ditë zie
Tiranë, 21 maj 2012 – Me kërkesë të Kryeministrit Sali Berisha, Këshilli i Ministrave, për të nderuar kujtimin e viktimave të aksidentit tragjik të Himarës, në të cilin humbën jetën 12 studente në lulen e rinisë së tyre, vendosi të shpallë datën 22 maj, ditën e martë, ditë zie kombëtare.
Siç raporton noa.al, Kryeministri, në emrin e tij personal, të familjes së tij dhe të qeverisë shqiptare u shpreh familjeve të viktimave të këtij aksidenti, që ka sjellë dhimbje e pikëllim të thellë në çdo vatër dhe zemër shqiptare, ngushëllimet më të thella, solidaritetin më njerëzor.
Për të qenë i pranishëm në ditën e zisë dhe për të ndarë dhimbjen dhe zinë me familjet e viktimave dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë, Kryeministri po bën çdo përpjekje për t’u nisur menjëherë në Tiranë.
V E N D I M
PËR
SHPALLJE DITË ZIE KOMBËTARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të pikës 8, kreu VI, të vendimit nr.229, datë 23. 4.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen ditë zie kombëtare ditën e martë, datë 22.5.2012 , në nderim të viktimave , që, në lulen e rinisë së tyre, humbën jetën, për shkak të aksidentit tragjik, më 21.5.2012, në aksin rrugor, në afërsi të qytetit të Himarës.
2. Në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë dhe në orën 12.00 të mbahet një minutë heshtje.
3. Radio-Televizioni Publik Shqiptar gjatë ditës të transmetojë muzikë funebre.
4. Ngarkohet Ministria e Brendshme të përballojë shpenzimet e varrimit të viktimave.
/NOA.al/