Krerët shtetëror dhe politik të Prishtinës dhe Shkupit mesazhe ngushëllimi
Krerët shtetëror dhe të partive politike të Tiranës, Prishtinës, Shkupit janë kanë shprehur ngushëllime për aksidentit të rëndë që ka ndodhur në aksin rrugor Sarandë – Himarë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka ngushëlluar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, pas aksidentit të rëndë të trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë-Himarë, në të cilin humbën jetën dhe u plagosën një numër studentesh të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin mbi vdekjen tragjike, si dhe plagosjen e studenteve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani` të Elbasanit, në aksidentin e trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë – Himarë. Pranoni ngushëllimet e sinqerta të qytetarëve, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të miat personalisht, për humbjen tragjike të jetëve të studenteve”, thuhet ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit të presidentes Jahjaga.
“Në këto çaste të rënda për familjarët e viktimave dhe për tërë Republikën e Shqipërisë jemi pranë jush për të ndarë dhimbjen e madhe për këtë tragjedi. Zotëri President, ju shpreh solidaritetin e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ju ofrojmë përkrahjen e plotë”, thuhet në telegram.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ngushëlloi kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe familjarët e të aksidentuarve në tragjedinë e Himarës.
“Lajmi për tragjedinë e rrokullisjes së autobusit me studentë, afër Himarës, ku humbën jetën 11 prej tyre, na tronditi të gjithëve. Vrulli i rinisë studentore, që po bëhej gati të bashkohej në përpjekjet për të zhvilluar vendin e tyre, u ndërpre nga një shmangie tragjike nga rruga e autobusit me të cilin po udhëtonin ata”, thuhet në telegramin e z Thaçi.
“Më lejoni që në këtë moment pikëllimi dhe dhimbjeje, të ju shpreh Juve, Qeverisë së Shqipërisë dhe gjithë familjeve të studentëve që humbën jetën në këtë tragjedi, ngushëllimet e mija të sinqerta. Populli i Kosovës dhe qeveria e tij, ndiejnë dhembje dhe dëshirojnë të jenë pranë jush dhe familjeve që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi. Kjo dhimbje duhet të na forcojë kujtimin për ata që humbën jetën, dhe për idealet e tyre për lirinë dhe perspektivën për një jetë më të mirë,” ka thënë kryeministri Thaçi në telegramin e ngushëllimit
Nga ana tjetër Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një telegrami ngushëllimi dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka shprehur tronditjen e thellë të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës, pas ngjarjes tragjike që ka ndodhur në Himarë, ku kanë gjetur vdekjen një numër i të rinjve dhe shumë të tjerë janë plagosur.
“Në këto qaste të rënda, ne i bashkohemi pikëllimit dhe dhimbjes së familjeve që kanë humbur fëmijët e tyre në këtë tragjedi. Populli i Kosovës po ashtu i bashkohet lutjeve për shërim sa më të shpejt të të lënduarve në këtë tragjedi”, thuhet në telegram.
Ministri Hoxhaj ka shprehur solidaritetin dhe gatishmërinë e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të ndihmuar me çdo mjet dhe në çdo formë autoritetet shqiptare dhe familjet e të aksidentuarve për tejkalimin sa më shpejtë të kësaj situate tragjike.
Ngushëllime kanë shprehur edhe partitë politike shqiptaren në Maqedoni. “Lajmin për aksidentin e tmershëm në afërsi të Himarës, ku humbën jetën shumë studentë dhe të tjerë po luftojnë për jetën e tyre, e pranova me pikëllim të madh dhe dhimbje. Në këto çaste të rënda për familjet e viktimave dhe të të plagosurve, ju lutem më lejoni të shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta për viktimat e këtij aksidenti tragjik si dhe të uroj shërim sa më të shpejtë të të plagosurve. Njëkohësisht, në emër të të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, më lejoni të ngushëlloj drejtuesit e institucioneve të Shqipërisë dhe t’i siguroj që qëndrojnë pranë tyre në këto momente të vështira dhe po qe nevoja, jemi në dispozicionin tuaj”, thuhet në një telegram të BDI-së. (INA)