Kalo te lënda

Diaspora nga Nju Xhersi reagon për situatën në Maqedoni

Fondi i përbashkët Shqiptar (FPSH) në Nju Xhersi në vazhdimësi ka ndjekur situatën në Maqedoni dhe shprehë shqetësime për diskriminimin që në kontinuitet po i bëhet shqiptarëve në Maqedoni, informon INA.

“Burgosjen e ushtareve të UÇK-së, Enciklopedinë Maqedonase, imponimin e maqedonishtes nga klasa e parë, Ligjin që pamundëson përdorimine gjuhës shqipe, regjistrimin e popullatës dhe tendencën për mos regjistrim të shqiptarëve që jetojnë jashtë Maqedonisë, por që janë lindur në Maqedoni etj. Shqetësimi u bë akoma më i madh në gjashtëmujorëshin e fundit kur me një urrejtje të pashpjegueshme në mënyrë sistematike nisen të thirren parulla raciste si ‘vdekje për shqiptarët’, ’Shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur’, ‘dhoma gazi për shqiptarët’ etj.

Për ne ishte shumë e dhimbshme kur shikonim në mjetet e informimit se nxënësit shqiptarë në mënyrë të organizuar rriheshin nëpër autobus tek shkonin në shkollë. Ishte e tmerrshme kur morëm vesh lajmin për vrasjen e dy të rinjve në Gostivar nga një polic i etnitetit maqedonas. Kemi shpresuar dhe shpresojmë se ka një rrugë të së drejtës e cila pa paragjykime keqbërësit do t`i dënojë. I kemi dhënë përparsi paqes dhe shtetit të së drejtës”, theksohet në reagimin e FPSH-së.

Kjo organizatë lobiste në Nju Xhersi e shqiptarëve thekson se “situata e krijuar pas vrasjes së pesëfishtë në Smilkovc dhe arrestimet që pasuan pas saj na bën që me keqardhje të konstatojmë se dhuna dhe proceset e montuara politike nga ky koalicion qeverisës VMRO-DPMNE dhe BDI janë  sistematike dhe të kurdisura me tendenca tejet të rrezikshme për të gjithë popujt që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, duke mos përjashtuar edhe ato që përgadisin kësi lloj skenarësh”.

Sipas FPSH, arrestimet dhe angazhimi i gjithë atyre forcave të policisë treguan se nuk bëhet fjalë për zbardhje të rastit të vrasjes së pesëfishtë, por për demonstrim force.

“Akuzat për terrorizëm dhe radikalizëm islamik dhe faktet që u nxorën në opinion nga MPB që ishin disa telefonata celularësh flasin se bëhet fjalë për proces të montuar politik. Deklaratat e Ministres së MPB-së ishin krejtësisht tendencioze dhe fyese, por ajo nuk mori përgjegjësi dhe të largohet nga koalicioni.

Burgosja e nënave dhe motrave tona nga policë meshkuj si dhe rrahja e të dyshuarëve nëpër korridoret e gjykatave flasin për mungesën e shtetit të së drejtës dhe shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut. Ndërsa filmimi i arrestimeve dhe nxjerrja në publik pa u dëshmuar fajësia e tyre është linçim i qytetarëve të thjeshtë”, nënvizon Fondi i Përbashkët Shqiptar, duke i bërë thirrje popullatës në Maqedoni të ruajë gjakëftohtësinë dhe të mos bie pre e provokimeve dashakeqe, ndërsa institucionet duhet të nxjerrin drejtësinë.

FPSH i bën apel BDI-së që legjitimitetin e marrur nga populli të mos e shfrytëzojë vetëm për tenderë, por të mbrojë shqiptarë, sepse përndryshe nënkuptohet se legjitimiteti i tyre është i skaduar. “Për çka ju shërben legjitimiteti kur nuk jeni në gjendje të mbroni ate që është më njerëzore – sigurinë e qytetarëve që ju kanë votuar!”, thekson FPSH.

Kjo organizatë i bën thirrje partive politike për një unitet, ndërsa mbështet fuqishëm dhe i bashkëngjitet Lobit Shqiptaro – amerikan të udhëhequr nga Joseph DioGuardi për dënimin e diskriminimit që pushteti ushtron ndaj shqiptarëve, por nga ana tjetër mbështetet edhe nisma për unitetin e spektrit politik shqiptar në Maqedoni, me një platformë që do të realizojë të drejtat kombëtare. FPSH vlerëson se duhet të protestohet dhe partitë ti dalin në ballë protestat, ndërsa dënohen veprimet dhe nxjerra në shesh e flamujve të xhihadit, fotografi që dëmtojnë imazhin e shqiptarëve dhe çështjes sonë kombëtare.

FPSH në fund kërkon që faktori ndërkombëtarë si SHBA, BE dhe institucione tjera të përfshihen në hetimet për ndriçimin e vrasjes së pesëfishtë dhe të mos lejohen proceset e montuara politike. (INA)