Tërmet në Itali, të paktën 7 viktima
Një tërmet në Italinë e veriut vrau të paktën shtatë persona dhe ka detyruar dhjetëra mijëra të braktisin shtëpitë, mëngjesin e së dielës.
Lëvizjet e tokës me forcë të shkallës 6.0 rihter, u ndienë në orët e para të mëngjesit, ndërsa epiqendra u regjistrua 35 kilometra larg qytetit të Bolonjës.
Burimet zyrtare raportuan se të viktimat janë kater punetore dhe tre gra, te mbetur ne renoja kur ndërtesa në të ndodheshin u shemb.
Televizionet vendase transmetojnë aktualisht pamjen e kishave të vjetra dhe fabrikave të dëmtuara në zonë. Disa tërmete më të vegjël pas goditjes fillestare janë regjistruar.
Grupet e shpëtimit janë duke inspektuar në rënojat e objekteve të shembura, pasi dyshohet që në to mund të kenë mbetur njerëz të gjallë.
Burime të skuadrave të shpëtimit deklaruan se bilanci përfundimtar i viktimave nuk është i qartë dhe se ai mund të rritet ne oret ne vazhdim.
Konfirmohen gjithashtu dhjetëra te plagosur te derguar ne spitale per trajtimin paraprak.
Tërmeti ka shkaktuar dëme kryesisht në rrethin e Bolonjës, ndërsa tronditjet e tij u ndienë qartë edhe në qytetet e Ferrarës, Veronës dhe Mantovës.
Lëkundjet e tokës, të regjistruara në orën katër të mëngjesit, ngjallën panik midis banorëve, me dhjetëra mijëra italianë që janë zhvendosur në rrugë nga frika e lëkundjeve të reja.
Për herë të fundit, një tërmet madhor goditi Italinë në vitin 2009. Ai shkaktoi dëme të mëdha në epiqendrën e tij, qytetin e Akuilës, ku mbi 300 persona humbën jetën dhe pothuajse i gjithë qyteti u kthye në rënoja.