Kalo te lënda

Qeveria reklamon bizneset e Pacollit

Prishtinë, 20 maj – Miliarderi Behgjet Pacolli është duke shfrytëzuar uebfaqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës për të promovuar bizneset e tij private. Janë 38 uebfaqe që i ka vënë si vegëza.
Në krye të listës së uebfaqeve të listuara në hapësirën e portalit të Qeverisë, ku është publikuar biografia e Pacollit, ndodhen edhe këto adresa: “http://www.mabetex.com”, “http://www.ks-siguria.com/ks-siguria” dhe “http://www.swissdiamondhotel.net”, shkruan sot Koha Ditore.
Klikimi mbi adresën e parë të çon në uebfaqen e kompanisë me të cilën Pacolli bëri pasurinë – “Mabetex Group”. Është kjo një kompani konstruksioni dhe inxhinierie civile me qendër në Zvicër. Kompania ishte bërë e njohur me aktivitetin në Rusi. Asaj iu dorëzuan disa kontrata të rëndësishme konstruktimi, renovimi, si dhe përtëritjeje të Parlamentit Federal Rus, Shtëpisë së Operës ruse, si dhe Kremlinit në Moskë. “Mabetex Group” ka ndërtuar gjithashtu edhe hotelin “Swiss Diamond Hotel” në erën e re ruse.
Nuk është vetëm një “Swiss Diamond Hotel”. Ka disa. I fundit është hapur sivjet në Kosovë. Ndërkaq hoteli me të njëjtin emër, por që ndodhet në Lugano të Zvicrës, promovohet në uebfaqen e Qeverisë së Kosovës. Është “http://www.swissdiamondhotel.net”.

(Tekstin e plotë lexoni sot në gazetën Koha Ditore)