Kalo te lënda

Edhe kroatët me një deputet në në Kuvendin e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në prag të  vizitës zyrtare që do ta ketë në shtetin e Kroacisë ka vizituar të dielën komunitetin kroat në Janjevë të Lipjanit dhe pos që e ka konfirmuar këtë komunitet si pjesë tëKushtetutës së vendit ka sjell te ai edhe lajmin se pikërisht kroatët tanimë do ta kenë edhe një vend të rezervuar në Kuvendin e Kosovës. 

“Në Janjevë kam ardhur me një lajm të mirë për kroatët. Dua të komunikoj se në konsultim me kryeministrin  Thaçi dhe me  ambasadorin e Kroacisë në Prishtinë  pos që është arritur marrëveshja që komuniteti kroat të jetë pjesë e Kusahtetutës  së Republikës së Kosovës,  ata tash e tutje do  ta kenë edhe një vend të rezervuar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Jahjaga.

Ajo fillimisht është pritur nga prifti në Kishën e Janjevës, Don Matej Palic, ndërsa më pas edhe ka bashkëbiseduar me pjesëtarët e komunitetit kroat po në oborrin e Kishës së qytezës së lashtë.  Ajo me këtë rast ka pranuar si dhuratë edhe një fotografi të Janjevës, si dhe një buqetë lulesh që u dhuruan nga fëmijtë kroatë të këtij mjedisi.  Për më tepër, e para e shtetit  komunitetin kroat në Janjevë, por edhe në gjithë Kosovën e ka vlerësuar si  të rëndësishëm në proceset e vendit dhe në bashkëpunimin shtetëror që ka Kosova me shtetin e Kroacisë.

“Jemi në dijeni se këtu kemi një komunitet ,  i cili është një urë e fuqishme mes shtetit kroat dhe Republikës së Kosovës. Prandaj, është shumë me rëndësi takimi me ta, që të bisedojmë konkretisht për problemet dhe vështirësitë që kanë,  si dhe mënyrën për t’ju dalë në ndihmë kroatëve në Janjevë në fushat ku kërkohet ajo ndihmë”, ka shtuar Jahjaga.

Presidentja e ka konfirmuar para janjevasve po ashtu se në shtetin e Kosovës, të gjithë qytetarët kanë një trajtim të barabartë pavarësisht përkatësisë etnike, apo fetare, ndërsa është ndarë e kënaqur me bashkëjetesën që ka parë në Janjevë.

“ Komuniteti kroat ka dhënë kontribut të madh në të gjitha proceset e zhvillimit të Kosovës, ndaj ky komunitet do të ketë mbështetje në vazhdimësi nga shteti  i Kosovës.  Jemi në vendin e bashkëjetesës dhe është një shembull i mirë për Kosovën drejt miqësisë sa më të mirë me shtetin e Kroacisë”, ka thënë ajo.

Pas takimit, Presidentja Jahjaga dhe zyrtarët që e shoqëruan vizituan lokalitetin e Janjevës, shtëpinë e at Shtjefën Gjeçovit, e cila është në fazën e renovimit, si dhe takuan qytetarët dhe biseduan me ta.
Prifti në Kishën e Janjevës, Don Matej Palic, duke folur në emër të banorëve  kroatë të Janjevës e ka falënderuar Presidenten Jahjaga për vizitën dhe ka shprehur besimin se institucionet qendrore dhe ato lokale do ta ndihmojnë këtë lokalitet, për të mundësuar kushte jetese më të mira për qytetarët.

Gjatë vizitës në Janjevë ajo është shoqëruar nga Slobodan Petrovic – zëvendëskryeministër e ministër i Pushtetit Lokal, nga nënkryetari i komunës së Lipjanit nga kryetari i Janjevës  e zyrtarë të tjerë.
Në Janjevë ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Kroacisë në vendin tonë Zoran Vodopija. /Telegrafi/