Kalo te lënda

CESID: Nikoliq 49.9 për qind, Tadiq 47.7

(E plotësuar) Sipas rezultateve të para që kanë arritur në Qendrën për Demokraci dhe Zgjedhje të Lira(CeSID), gjysmë ore pas mbylljes së vendvotimeve, kandidati për president i Partisë Përparimtare, Tomisllav Nikoliq prin me 49.9 për qind, derisa presidenti i deritashëm Boris Tadiq ka marrë 47.7 për qind.

Rezultatet, sipas mediave serbe, nuk jane nga numërimi i plotë i votave dhe mund të pësojnë ndryshime.

 

OSBE: Deri në orën 14, votuan 11 për qind e votuesve

Deri në orën 14:00 pjesëmarrja e votuesve në raundin e dytë të zgjedhjeve për president të Serbisë ka arritur 11 për qind, raporton Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Shefi i Misionit të OSBE-së, Ambasadori Uerner Almhofer vizitoi disa vendvotime dhe takoi stafin e OSBE-së që po udhëheq me qendrat e votimit, njofton përmes një deklarate për media, misioni i OSBE-së në Kosovë.

“Jam i kënaqur që të gjitha vendvotimet janë hapur në kohë të duhur këtë mëngjes dhe që votimi po kalon pa incidente”, tha ai gjatë vizitës në qendrën e votimit në Zveçan.

“Qendrat e votimit do të mbesin të hapura deri në orën 20:00 dhe ne do të vazhdojmë operacionin tonë derisa edhe votuesi i fundit ta hedhë votën e vet në kuti”, ka thënë Almhofer.

Sipas OSBE-së, më shumë se 110 mijë votues kanë të drejtë vote në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Serbisë, të cilat po lehtësohen nga ky mision.

Serbët e Kosovës votojnë për presidentin e Serbisë

Edhe raundi i dytë i zgjedhjeve për presidentin e Serbisë, në Kosovë po organizohet nga ana e OSBE-së, ashtu siç ishin pajtuar paraprakisht Qeveria në Prishtinë dhe ajo në Beograd.

Misioni i OSBE-së ka njoftuar se të gjitha vendvotimet, gjithsej 90, të mundësuara nga ky mision, janë hapur sot në Kosovë në ora 07:15.

“Kam kënaqësinë të raportoj për hapjen me kohë të të gjitha vendvotimeve këtë mëngjes”, citon komunikata e lëshuar nga Zyra për Informim, shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Verner Almhofer. Për t’u njoftuar nga afër me ecurinë e këtyre zgjedhjeve, ambasadori Almhofer ka vizituar një qendër votimi në Graçanicë.

Nga aspekti i sigurisë, për mbarëvajtjen e zgjedhjeve po përkujdeset edhe Policia e Kosovës. Një kujdes i shtuar po u kushtohet sidomos viseve të banuara me popullatë të përzier.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se Policia e Kosovës ka një plan veprimi enkas për këto zgjedhje. Deri më tani, nga aspekti i sigurisë, ai ka konfirmuar se nuk është shënuar asnjë incident dhe se sipas tij, nuk ka indikacione që mund të ketë ndonjë tensionim apo përshkallëzim të situatës.

“Që nga orët e hershme të mëngjesit i kemi ofruar asistencën e nevojshme OSBE-së me përcjelljen e materialit zgjedhor deri në qendrat e votimeve, në gjithsej 13 lokacione të votimeve. Policia e Kosovës do të jetë prezente për të ofruar sigurinë, e veçanërisht shtimin e prezencës në zonat e banuara me popullatë të përzier për të evituar çfarëdo lloj eksesi të çfarëdo lloj karakteri”, ka bërë të ditur Hoti.

Më 6 maj, po nën organizimin e OSBE-në territorin e Kosovës u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare, përderisa ato lokale, nuk kishin mbështetjen ndërkombëtare, kështu që ato u zhvilluan vetëm në dy komuna veriore të populluara me shumicë serbe nën organizimin e strukturave paralele serbe që veprojnë atje.

Gjetja e formulës për organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Kosovë përmes misionit të OSBE-së ishte mirëpritur nga qeveria e Kosovës dhe ishte përshëndetur nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, përderisa është kundërshtuar nga opozita në Prishtinë e cila ka vlerësuar se në këtë formë, autoritetet e Prishtinës po legjitimojnë strukturat e Serbisë brenda territorit të Kosovës. (rel)

OSBE hapë vendvotimet për serbët në Kosovë

Të gjitha 90 vendvotimet të mundësuara nga OSBE, për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Serbisë, u hapën sot në Kosovë në ora 07.15, njofton përmes një deklarate për media, misioni i OSBE-së në Kosovë.

“Kam kënaqësinë të raportoj për hapjen me kohë të të gjitha vendvotimeve këtë mëngjes”, tha shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Uerner Almhofer.

OSBE iu mundëson personave që jetojnë në Kosovë me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve për president të Serbisë.

Marrëveshja është arritur edhe për zgjedhjet parlamentare, të cilat po ashtu u organizuan më 6 maj, bashkë me raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Zgjedhjet e 6 majit, janë zhvilluar në mënyrë të qetë në Kosovë.(express)