Boshnjakët e duan Vitmoricën komunë
Boshnjakët që jetojnë në fshatin Vitomiricë të Komunës së Pejës, po kërkojnë që këtë fshat ku jetojnë një numër i madh i banorëve të komunitetit boshnjakë, ta kthejnë në një komunë të tyre.
Sipas banorëve, por edhe sipas iniciatorëve të kësaj kërkese, formimi i një komune për boshnjakë do të ngriste zhvillimin ekonomik, punësimin dhe mirëqenien e komunitetit boshnjak të kësaj ane.
Husnija Beskovic, zëvendësministër në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, i cili vjen nga Komuna e Pejës, ka thënë se i gjithë komuniteti boshnjak e kanë kërkesë të kahmotshme formimin e një komune të përbashkët për boshnjakët. Sipas tij po të realizohej kjo kërkesë, çdo gjë do të shkonte më mirë se sa që është deri tani. “Argumentet pse ne po kërkojmë formimin e një komune me shumicë boshnjake, i kemi parashtruar qysh në vitin 2005, ku nga atëherë vazhdimisht këto argument po sillen nëpër tavolina të institucioneve dhe kemi organizuar edhe një tribunë me qëllim të promovimit të kërkesës sonë”, theksoi Beskovic, transmeton Kosovapress.
Ndërkohë që Rrustem Nurkovic, zyrtar komunal në Komunën e Pejës, ka thënë se formimi i Vitomiricës komunë në vete do të sjellë zhvillim më të madh dhe mirëqenie më të mirë për qytetarët e komunitetit boshnjak. “Ne po paraqesim kërkesat e qytetarëve të komunitetit tonë që kanë për t’u bashkuar në një komunë së bashku, e po ashtu formimi i kësaj komune do të qonte në zhvillim ekonomik të Vitomiricës, ngritje të infrastrukturës dhe mundësi më të mira për punësim, e që kjo të realizohet na duhet përkrahja e institucioneve lokale e qendrore, e që ne shpresojmë që ta kemi”, ka thënë Nurkovic./Telegrafi/