Kalo te lënda

SHPALLET LISTA E SHTETEVE ME TË CILAT VENDOSET REGJIMI I VIZAVE

Prishtinë, 18 maj – Afganistani ishte vendi i parë që publikisht pati njohur Kosovën shtet sapo e pati shpallur pavarësinë në shkurt të 2008-s dhe tani gjendet në krye të listës së vendeve ndaj të cilave Kosova do të vërë regjim vizash nga 1 janari i 2013-s. Janë edhe 85 shtete të tjera, banorët e të cilave duhet të pajisen me viza për të hyrë në Kosovë.
Qeveria, megjithëkëtë, nuk e pati listuar Afganistanin si vend të parë që ia kishte njohur shtetësinë Kosovës. Lista nis me Mbretërinë e Bashkuar. E Afganistani ndodhet në numrin rendor 6. Gjithsej janë 7 shtete që figurojnë ta kenë njohur Kosovën të nesërmen e shpalljes së pavarësisë. Pos Mbretërisë së Bashkuar dhe Afganistanit, janë edhe Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria dhe Kostarika.
Nga to, viza do të ketë vetëm për banorët e Afganistanit, shtet në të cilin Osama Bin Laden vepronte lirshëm para se koalicioni i vendeve të Perëndimit të intervenonte ushtarakisht në 2001-n për ta çrrënjosur Al-Kaidën. Por, kjo radhitje është bërë bazuar në rend alfabetik.
“Koha Ditore” ka siguruar të enjten dy lista me emra shtetesh, që do t’i bashkëngjiten vendimit të Qeverisë të marrë një ditë më parë, për vënie të regjimit të vizave. Në të parën ndodhen 72 shtete, banorët e të cilave duhet të pajisen me viza në ambasadat e Kosovës apo ato të rajonit me të cilat Kosova ka marrëveshje për shërbime të përbashkëta, ndërsa në të dytën ndodhen 14 shtete, banorët e të cilave me viza mund të pajisen kur të vijnë në pikat kufitare të Kosovës apo edhe në aeroport.
E janë 18 shtete që kanë njohur Kosovën dhe që do t’u vihet regjimi i vizave. Është edhe Nigeria, një shtet që nuk e ka deklaruar njohjen, por që Qeveria e ka listuar në mesin e shteteve që ia kanë pranuar shtetësinë vendit.
Viza do të ketë edhe për popujt e dy vendeve me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, Rusisë e Kinës, të cilat pengojnë procesin e anëtarësimit në OKB.
Ndërkaq, kufijtë do të jenë të hapur për shtetasit e vendeve fqinje dhe për ata të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Regjim vizash nuk do të ketë as për shtetasit e Serbisë. Një zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka arsyetuar mospërfshirjen e Serbisë në listë, duke thënë se çështja e kalimeve të banorëve të të dyja vendeve është rregulluar me marrëveshje të veçantë, vjet në Bruksel.
Qeveria e Kosovës ka vendosur të mërkurën që prej vitit të ardhshëm të vërë regjim vizash për banorët e një numri shtetesh. Listën e këtyre vendeve nuk e pati publikuar, por pati treguar kriteret në bazë të të cilave është vendosur.
Ibrahim Gashi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme, ka thënë se përzgjedhja e shteteve për të cilat do të aplikohet regjimi i vizave është bërë në bazë të kriterit se sa paraqesin kërcënim për sigurinë e shtetit të Kosovës, sa paraqesin kërcënim për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar. Sipas tij, janë marrë në konsideratë edhe vendet e listës së zezë të Schengenit, ndaj të cilave do të vërë regjim vizash edhe Kosova.
E Kosova është vendi më i izoluar në Evropë. Banorët e saj nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, ndërsa edhe vende të rajonit obligojnë kosovarët të pajisen me viza në rast vizite.
72 vendet, banorët e të cilave duhen pajisur me viza në ambasada

Afganistani Algjeria Angola Armenia Azerbajxhani  Bangladeshi Bjellorusia Benini Bolivia Burkina Faso  Burundi  Çadi  Eritrea Etiopia  Gaboni  Gambia  Gana Guineja Ekuatoriale   Guineja  Guineja-Bisau  India  Indonezia Iraku  Irani  Jemeni  Kamboxhia Kameruni  Kape Verde  Kazakistani Kenia  Kirgistani Kuba  Laosi (Republika Popullore Demokratike e)  Lebanoni  Liberia Libia  Majanmari  Mali  Maroku  Mauritania  Moldavia  Mongolia  Mozambiku  Nepali Nigeri Nigeria Pakistani  Republika Demokratike e Kongos  Republika e Afrikës Qendrore   Republika e Kongos   Republika Popullore Demokratike e Koresë  Ruanda Rusia  Sierra-Leone  Siria Somalia Sudani  Shri-Lanka Tajlanda  Tanzania  Taxhikistani  Togo  Tunizia  Turkmenistani  Uganda  Ukraina  Unioni i Komoreve  Uzbekistani  Vietnami  Xhibuti  Zambia Zimbabve
14 vendet, shtetasit e të cilave duhen pajisur me viza në kufi
Bregu i Fildishtë Butani Egjipti  Ekuadori  Filipinet  Gjeorgjia  Haiti  Kina Madagaskari  Peru  Republika Dominikane  Senegali  Surinami     Xhamajka